
Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka prezantuar zyrtarisht kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, duke e shndërruar ngjarjen në një mesazh të fuqishëm për ndryshimin e sistemit politik në vend. Në fjalimin e tij, Shehaj theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion, por për një ndryshim rrënjësor të klasës politike.
“Që nga viti 1992 gjithçka ka ndryshuar – përveç drejtuesve politikë. Politika shqiptare është kthyer në një kasetë të prishur, që përsërit të njëjtat premtime dhe zhgënjime,” u shpreh Shehaj.
Ai akuzoi klasën politike aktuale se, pavarësisht nëse ndodhet në pushtet apo në opozitë, ka kontrolluar gjithmonë institucionet, ekonominë dhe të ardhmen e qytetarëve.
“Nuk jemi këtu për të ndërruar një pushtetar me një tjetër, por për të thyer ciklin e kapjes së shtetit, për t’i kthyer pushtetin qytetarit të thjeshtë. Ne jemi alternativa që Shqipëria ka kërkuar prej dekadash,” deklaroi ai.
Shehaj përsëriti se partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhje pa asnjë koalicion dhe se kandidimi i saj është një akt besimi tek vlerat, jo tek pazaret politike.
“Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ka qenë 30 vite më parë. Koha e dytë më e mirë është sot. Ejani ta mbjellim bashkë këtë pemë të shpresës, të punës dhe të suksesit për Shqipërinë tonë.”
Mesazhi i tij rezonoi fort me elektoratin e zhgënjyer nga partitë tradicionale, duke e pozicionuar Partinë Mundësia si një alternativë serioze për zgjedhjet e 11 majit. Në këtë garë, Shehaj theksoi se nuk kërkon thjesht vota, por angazhim për një Shqipëri ndryshe, të bazuar në meritë, punë dhe ndershmëri.
Partia Mundësia, e themeluar nga Agron Shehaj, vjen për herë të parë në zgjedhje parlamentare me një platformë që synon të sfidojë bipolarizmin 30-vjeçar mes PS dhe PD.