Artan Hoxha: Krimi i organizuar i dhuroi Ramës 5-6 deputetë – Skema që përmbysi rezultatin në 2021

0

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar një skemë tronditëse në lidhje me ndikimin e krimit të organizuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke deklaruar se të paktën 5 deri në 6 deputetë të Partisë Socialiste kanë ardhur si rezultat i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të grupeve kriminale.

Gjatë një interviste në “Syri TV”, Hoxha u shpreh se Edi Rama e ka ruajtur pushtetin falë këtyre aleancave, të cilat janë ngritur me shantazh institucional dhe legalizim të pasurive të paligjshme.

“Në 2021, Rama përdori një taktikë të re. Filloi me OFL një vit para zgjedhjeve, duke u çuar formularë të gjithë bosëve të krimit: ose më mbështesni, ose ju lëshoj institucionet në qafë. Në fund, pasuritë e krimit u legalizuan dhe disa nga këta persona sot janë në burg, por punën e tyre e bënë – i dhanë deputetë Ramës,” tha Hoxha.

Ai përmendi Shkodrën si shembullin më domethënës, ku sipas tij, krimi mori kontrollin e qytetit duke detyruar strukturat lokale të dorëzoheshin përballë “sherifëve të rinj”.

“Nuk kishin zgjidhje tjetër. Ishin përpara alternativës: ose zhdukuni nga qyteti, ose pranojini ata që morën në dorë qytetin.”

Operacioni Forca e Ligjit, që u nis në 2020, u përdor sipas Hoxhës si mjet për të frikësuar grupet kriminale dhe më pas për t’i rekrutuar si strukturë paralele zgjedhore. Ai përmendi rastin e “Hajrëve”, të cilët, ndonëse në kërkim, u rreshtuan me mazhorancën për herë të parë në 2021.

“Në fund të OFL, nuk e pësoi askush përveç ndonjë biznesi lokal. Pasuritë e mëdha të krimit jo vetëm që nuk u sekuestruan, por u legalizuan nga vetë strukturat e drejtësisë.”

Hoxha akuzoi drejtpërdrejt edhe SPAK, duke deklaruar se disa nga prokurorët “legalizuan pasuritë e grupeve kriminale” të përfshira në manipulimin e votës. Ai tha se tashmë këto grupe janë ose në burg ose nën presion për të heshtur.

“Rama e mbylli punën me ta. Tani u thotë: rrini urtë, ndryshe ju gropos. Nëse bie Rama, vëmendja zhvendoset te ai, dhe ata shpëtojnë.”

Sipas gazetarit, krimi, drejtësia dhe politika janë bashkuar në një treshe që ka përmbysur sistemin demokratik të votës, duke ndikuar thellë në rezultatin e zgjedhjeve dhe duke zbehur besimin e qytetarëve tek zgjedhjet e lira.


Artikulli i mëparshëmShehaj prezanton kandidatët: Koha për ndryshim të vërtetë, jo rotacion të rremë
Artikulli i radhësSkandali ‘Signal’ trondit Shtëpinë e Bardhë: Zbulohet rrjeti i komunikimeve sekrete të administratës Trump