
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë intervistës së tij në emisionin “Top Story” në Top Channel, duke pretenduar se është në zotërim të videove erotike të disa gjyqtarëve shqiptarë. Sipas tij, materialet i janë dërguar nga qytetarë digjitalë, por ai nuk ka ndërmend t’i bëjë publike.
“Deri tek qytetari digjital vijnë erotizma të gjykatësve. Ligji e përjashton jetën intime, prandaj nuk do t’i publikoj,” – u shpreh Berisha, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për gjyqtarë të GJKKO-së dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo deklaratë u perceptua nga analistë dhe publiku si një formë shantazhi të drejtpërdrejtë, veçanërisht në një kohë kur Berisha ndodhet nën akuzë nga SPAK dhe është subjekt i një hetimi penal për korrupsion.
Gjatë emisionit, Berisha komentoi edhe raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili përmend çështjen ndaj tij si një nga zhvillimet kyçe në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ai e minimizoi rëndësinë e raportit, duke e quajtur “praktikë e zyrave”, jo e lidhur me senatorin Marco Rubio.
“Kjo histori nuk do të zgjasë shumë. Ai raport nuk ka lidhje me Rubion, është një rutinë e zyrave. S’ka qenë as në diktaturë kështu. Sot, qeveria i fiton të gjitha gjyqet. Më tha Dhoma e Tregtisë, gjithçka është nën kontroll,” – deklaroi Berisha.
Këto deklarata vijnë në një kontekst tensioni të lartë politik dhe ligjor për Berishën, i cili pretendohet se po përballet me një sistem drejtësie të kapur, ndërsa nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë kërkojnë të çojnë përpara hetimet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve politikë.
Deklarata për videot me përmbajtje intime është një nga më të fortat dhe më të debatueshmet që Berisha ka bërë në vitet e fundit, duke hedhur hije serioze mbi raportet mes politikës dhe drejtësisë në vend.