
Grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës në Bashkinë e Tiranës ka depozituar një letër zyrtare në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, ku denoncojnë atë që e konsiderojnë një kapje politike dhe shkelje të autonomisë vendore nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit të Erion Veliajt dhe vendosjes së Anuela Ristanit si kryetare de facto e Bashkisë.
Në letrën zyrtare, këshilltarët opozitarë theksojnë se zëvendësimi i Veliajt me Anuela Ristanin është bërë me metoda autoritariste dhe të paligjshme, duke anashkaluar plotësisht rolin e Këshillit Bashkiak.
Tre akuzat kryesore të ngritura nga opozita:
- Cenimi i autonomisë vendore – Përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të qeverisë qendrore në administrimin lokal, është shkelur neni 3 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
- Margjinalizimi i Këshillit Bashkiak – Organet legjitime të zgjedhura nuk po ushtrojnë funksionet e tyre, ndërsa Bashkia po drejtohet në mënyrë jo transparente nga qeveria.
- Manipulim i administratës për zgjedhje – Opozita paralajmëron për presione dhe instrumentalizim të administratës për qëllime elektorale për zgjedhjet e 11 majit, përfshirë përdorimin e lejeve të ndërtimit në mënyrë të dyshimtë.
Në kërkesën drejtuar Këshillit të Evropës, opozita kërkon:
- Ndërprerjen e menjëhershme të ndërhyrjeve nga qeveria qendrore,
- Kthimin e autonomisë së plotë në duart e institucioneve vendore legjitime,
- Qëndrim të pavarur nga të gjithë këshilltarët bashkiakë, pa ndikime partiake.
“Autonomia vendore dhe sundimi i ligjit janë themeli i një demokracie funksionale,” thuhet në fund të letrës, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për rikthimin e normalitetit demokratik në qeverisjen e Tiranës.
Kjo është hera e parë që një grup këshilltarësh lokalë shqiptarë i drejtohet drejtpërdrejt institucioneve evropiane për të denoncuar atë që e konsiderojnë një uzurpim të Bashkisë nga Kryeministri Rama.