
Një kontroll i befasishëm nga SPAK është zhvilluar në banesën e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli në Elbasan, të cilat janë në qendër të një ngjarjeje të rëndë kriminale të lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.
Historia e shpërthimit me tritol që tronditi Elbasanin nisi më 14 korrik 2024, kur një sasi e fuqishme tritoli shpërtheu në banesën me qira të motrave Nikolli në lagjen “Haxhias”, duke lënë të plagosur rëndë fqinjin Enea Themollari, i cili ndërroi jetë pas 3 muajsh në spital.
Pas ngjarjes, Xhovana Nikolli akuzoi drejtpërdrejt Dumanin si autor të vendosjes së tritolit, për shkak të një përplasjeje personale të nxitur nga rrjetet sociale. Motra e saj, Alda, në deklaratat për mediat dhe për SPAK ka pranuar një lidhje me Dumanin dhe ka rrëfyer komunikime të rregullta me të nëpërmjet Skype nga qelia.
SPAK ka nisur hetim të thelluar, duke ndërlidhur dosjen e shpërthimit me tritol me dosjen voluminoze të Nuredin Dumanit, ndërsa kontrolli në banesën e Nikollajve është pjesë e përpjekjeve për të zbardhur detajet e kësaj ngjarjeje me pasoja tragjike për një qytetar të pafajshëm.
Në sfond qëndron një përplasje e pazakontë emocionale dhe kriminale, që ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në vepra penale. SPAK po verifikon nëse komunikimet e pretenduara të Aldës me Dumanin dhe deklaratat publike në rrjetet sociale të motrave Nikolli kanë ndikuar në nxitjen e ngjarjes tragjike.
Hetimet vijojnë dhe pritet që dosja të shtrihet edhe në lidhje të tjera të mundshme kriminale, përfshirë edhe rivalitetin e supozuar mes Dumanit dhe partnerit të njërës prej motrave, Amarildo Nikolli.