Tërmet Apokaliptik në Myanmar: 7.7 ballë lëkundin rajonin, 90 të zhdukur në Bangkok, qeveritë shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

0

Një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 7.7 ballë ka goditur qendrën e Myanmarit, duke shkaktuar të paktën 20 viktima në Naypyidaw dhe duke shembur ndërtesa të tëra në Bangkok, ku të paktën 90 persona rezultojnë të zhdukur nën rrënojat e një kulle 30-katëshe në ndërtim e sipër.

Tërmeti, i ndjekur nga një pasgoditje prej 6.4 ballësh, ka sjellë panik masiv në Tajlandë dhe gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë rajone të Myanmarit, përfshirë Mandalay, ku është dëmtuar edhe pallati mbretëror. Në Bangkok, qindra qytetarë u evakuuan nga ndërtesat e larta ndërsa uji shpërtheu nga pishinat në katet e sipërme, siç tregohet në pamjet tronditëse të filmimeve nga vendngjarja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nisur menjëherë mobilizimin ndërkombëtar, ndërsa Ekipet e Kryqit të Kuq janë përballur me pengesa për shkak të rrëzimit të linjave të energjisë dhe infrastrukturës në rajonet Sagaing dhe Shan.

Zyrtarë të lartë evropianë dhe francezë kanë deklaruar gatishmëri për ndihmë, ndërsa Bangkok-u është shpallur zyrtarisht zonë katastrofe. Ekipet e kërkim-shpëtimit në Tajlandë po garojnë me kohën për të shpëtuar të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura.

Dëmet në infrastrukturë përfshijnë rrugë të çara, ura të shembura dhe spitale të shkatërruara, ndërkohë që ekziston frikë për gjendjen e digave të mëdha në zonat e goditura.

Situata mbetet kritike, ndërsa numri i viktimave dhe të zhdukurve pritet të rritet me kalimin e orëve.


Artikulli i mëparshëmSkandal në Tiranë: Këshilltarët Bashkiakë denoncojnë Ramën në Këshillin e Europës – “Ka uzurpuar Bashkinë pas arrestimit të Veliajt”
Artikulli i radhësBerisha i përgjigjet Ramës me simbolin e bufit: “Ai është simbol i mençurisë, jo fyerje”