
Një tërmet me magnitudë 7.7 ballë ka goditur qendrën e Mianmarit, duke shkaktuar frikë dhe panik në qytete të shumta të rajonit, përfshirë Bangkokun e Tajlandës, ku mijëra qytetarë janë parë duke braktisur ndërtesat.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ndodhej vetëm 17.2 kilometra larg qytetit Mandalay – një qytet me mbi 1.2 milion banorë – në një thellësi prej 10 kilometrash. Deri në momentin e raportimit nuk ka pasur të dhëna zyrtare për dëme materiale apo viktima në Mianmar, por autoritetet janë në alarm dhe në pritje të bilanceve të mundshme.
Lëkundjet janë ndier qartë edhe në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, ku sipas dëshmitarëve, ujërat në pishina janë përplasur fort për shkak të tërmetit dhe qytetarët kanë dalë në rrugë të alarmuar, shkruan Reuters.
Ky tërmet konsiderohet ndër më të fortët e regjistruar në rajon gjatë vitit 2025 dhe ka rindezur frikën për një valë të re aktivitetesh sizmike në Azinë Juglindore – një zonë e njohur për lëvizjet e forta tektonike.
Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare po monitorojnë situatën, ndërsa organizatat e emergjencës janë në gatishmëri për çdo ndihmë të mundshme në rast të nevojës për operacione shpëtimi apo evakuimi.