
Tiranë – Një sasi prej 27 ton fileto pule e importuar nga Brazili është futur në tregun shqiptar e infektuar me bakterin vdekjeprurës “Salmonella Typhimurium”, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve. Skandali u bë publik këtë të premte dhe përfshin kompaninë “Dimal Inc.”, e cila sipas autoriteteve nuk ka bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU), duke mos dhënë as faturat përkatëse.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Salmonella Typhimurium” është një ndër patogjenët më të rrezikshëm që prek si njerëzit ashtu edhe kafshët. Infeksioni shkakton sëmundje të rënda gastrointestinale, ethe të larta, dhimbje barku, diarre, skuqje të lëkurës dhe madje edhe vdekje. OBSH vlerëson se çdo vit rreth 110 mijë njerëz humbin jetën nga ethet tifoide që shkakton ky bakter.
AKU, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende asnjë informacion të qartë mbi sasinë e mishit të konsumuar nga qytetarët. Burime mediatike theksojnë se produkti nuk është zhdoganuar në Portin e Durrësit, por ka hyrë në vend përmes tranzitit të dyshimtë, pa asnjë kontroll rigoroz.
Rreziku shëndetësor është real dhe aktual. Ndërkohë që qytetarët mbeten në mëshirë të fatit, kompania “Dimal” vazhdon të operojë, ndërsa qeveria hesht.
Gazetarë dhe qytetarë kanë raportuar raste të sëmundjes së rëndë pas konsumimit të mishit të pulës, përfshirë një gazetare që ka përfunduar në spital me të fikët pas konsumimit të filetos.
Skandali shtron pyetjen alarmante: Kush do të mbajë përgjegjësi për jetën e qytetarëve? A do të ndërhyjë SPAK për këtë krim të heshtur shëndetësor? Shqipëria ka nevojë për transparencë, ndëshkim dhe kontroll real ndaj produkteve që mbërrijnë në treg.