Fronëzimi i Kryepeshkopit Joan – Papa Françesku: Të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të unitetit

0

Papa Françesku ka uruar zyrtarisht Kryepeshkopin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Pelushi, me rastin e fronëzimit të tij, që u zhvillua sot në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Në letrën e tij, Papa shpreh shpresën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse në Shqipëri, veçanërisht në misionin e përbashkët për të përhapur Ungjillin dhe për të ndihmuar më të nevojshmit.

“Shpresoj me zemër, prandaj, që nën udhëheqjen tuaj atdhetare, marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Shqipërisë dhe Kishës Katolike të zhvillohen më tej, duke kërkuar forma të reja të bashkëpunimit të frytshëm në shpalljen e Ungjillit dhe në shërbimin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”, shkruan Papa Françesku.

Ai gjithashtu ka përmendur me respekt paraardhësin e Kryepeshkopit të ri, Hirësinë e Tij Anastas Janullatos, duke nënvizuar se dialogu dhe bashkëpunimi ndërkishtar duhet të vijojnë si rrugë për të kapërcyer ndarjet dhe për të ndërtuar bashkësinë ndërmjet dishepujve të Krishtit.

“Jam i sigurt se Virtytshmëria Juaj, duke ndjekur shembullin e parardhësit tuaj, do të vazhdojë të promovojë dialogun si mjet për të kapërcyer ndarjet dhe për të kërkuar bashkësinë e plotë ndërmjet të gjithë dishepujve të Krishtit.”


Një mesazh paqeje në kohë trazirash

Në një kontekst global të trazuar, Papa Françesku theksoi se misioni i të krishterëve është më i rëndësishëm se kurrë: të japin dëshmi konkrete të unitetit dhe solidaritetit vëllazëror, në mënyrë që mesazhi i Ungjillit të përqafohet me besim nga shoqëria moderne.

“Në këto kohë të vështira të shënuara nga lufta dhe dhuna, është gjithnjë e më urgjente që të krishterët të japin një dëshmi besnike të unitetit. Vetëm kështu bota mund të pranojë plotësisht mesazhin ungjillor të paqes dhe bashkëjetesës.”

Papa mbyll letrën e tij me një thirrje për përkushtim të ndërsjellë në zgjidhjen me dashuri dhe të vërtetë të çështjeve që ende ndajnë kishat, me shpresën për një të ardhme më të bashkuar shpirtërisht për të gjithë të krishterët në Shqipëri dhe më gjerë.


Artikulli i mëparshëmSkandali ligjor i Ardit Bidos: Kandidim pa dorëheqje, sfidë ndaj Kodit Zgjedhor
Artikulli i radhësÇfarë të përgatisim për Fitër Bajram? Menuja tradicionale për një drekë festive pas Ramazanit