
Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave të sigurisë për sfidën e shumëpritur të mbrëmjes së sotme në stadiumin “Air Albania” mes Tiranës dhe Partizanit, që nis në orën 20:00.
Bllokime rrugësh dhe kufizime qarkullimi
Sipas njoftimit zyrtar, që prej orës 14:00 do të nisë spostimi i automjeteve përreth stadiumit, ndërsa bllokimi i akseve rrugore do të nisë nga ora 17:00 dhe do të zgjasë deri në përfundim të ndeshjes.
Segmentet që do të bllokohen për qarkullimin janë:
- Rruga “Lek Dukagjini”
- Rruga “Dervish Hima”
- Rruga “Gjergj Filipi”
- Rruga “Papa Gjon Pali II”
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri në sheshin “Nënë Tereza”
Rrugët e lëvizjes për tifozët
- Tifozët e Tiranës: Nisja përballë “Teatrit të Kukullave”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, ETC, rruga “Papa Gjon Pali II”, qendra “COIN” – stadium.
- Tifozët e Partizanit: Nga kryqëzimi “Muhamet Gjollesha” – “Artan Lenja”, përgjatë “Sulejman Delvina”, “Ibrahim Rugova”, sheshi “Frederik Shopen”, shkallët e universitetit – stadium.
Masa të rrepta sigurie
Policia do të ushtrojë kontrolle të rrepta ndaj tifozëve për sende të ndaluara si çadra, çelësa metalikë, bidonë uji dhe lëndë piroteknike. Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi, përndryshe nuk do të lejohet hyrja.
Gjithashtu, ndalohet hyrja për:
- Fëmijët nën 16 vjeç pa prind ose kujdestar ligjor
- Personat pa ID
- Tifozët e identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive
Policia bën thirrje për qetësi dhe bashkëpunim, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimet e përkohshme të trafikut dhe zbatimin rigoroz të masave të sigurisë.