
Kryeministri Edi Rama ka shpallur si “historike” vizitën e paralajmëruar të homologut britanik Keir Starmer në Tiranë, por prapaskenat e këtij takimi të shumëpërfolur ngjallin dyshime të forta për një tjetër marrëveshje të fshehtë me pasoja të rënda për Shqipërinë. Pas Melonit, tani është radha për të pranuar në heshtje emigrantët e padëshiruar të Britanisë, të cilët pritet të përfundojnë në territorin shqiptar si pjesë e një skeme të re britanike që do të zëvendësojë dështimin e planit famëkeq me Ruandën.
Nën etiketën e një “partneriteti strategjik”, në fakt po përgatitet importimi i mijëra të huajve të refuzuar nga Britania përmes një qendre për përpunimin e kërkesave të azilit, e ngjashme me atë që Italia ka ngritur në Shqipëri nën marrëveshjen Rama-Meloni.
Keir Starmer e ka konfirmuar publikisht se është i “interesuar” për modelin italian, i cili parashikon që emigrantët që nuk përmbushin kushtet për azil të kthehen. Në rastin britanik, “vendet e tranzitit” si Shqipëria do të shërbejnë si zona të përpunimit dhe izolimit të tyre, pa garanci për se çfarë do të ndodhë më pas me fatin e tyre.
“Le të shohim si do të funksionojë. Është ende në faza të hershme. Jam i interesuar për këtë model dhe do të flas me Melonin,” – ka thënë Starmer disa muaj më parë, duke lënë të kuptohet qartë që Shqipëria është një ndër destinacionet e mundshme.
Ndërkohë shqiptarët braktisin vendin në masë. Me mbi 900 mijë qytetarë të larguar në 12 vitet e qeverisjes së Ramës, Shqipëria po boshatiset çdo ditë. Rinia, profesionistët, studentët dhe familjet kërkojnë jetë më të mirë jashtë vendit, ndërsa vendi i tyre po shndërrohet në kamp për të dëbuarit e Europës.
Kjo vizitë, në vend që të sjellë përfitime reale për qytetarët shqiptarë, rrezikon të vulosë një tjetër kompromis të errët të qeverisë Rama, e cila përdor propagandën e “aleancave” për të maskuar pazarët për emigrantët, në këmbim të ndihmave, fondeve apo mbështetjes politike ndërkombëtare.
A është Shqipëria gati të bëhet vend strehimi për mijëra emigrantë të paligjshëm që Britania nuk i do më?
Pse Rama e shet si triumf diplomatik atë që në fakt është një marrëveshje e heshtur për të kthyer Shqipërinë në një qendër filtrimi të emigrantëve të refuzuar nga Londra?
Koha për përgjigje është tani. Shqipëria nuk mund të jetë më terren për pazare ndërkombëtare që shiten si histori suksesi, ndërsa pas skenave fshihet një realitet i dhimbshëm për sovranitetin dhe të ardhmen e vendit.