
Lideri i PD shpërthen pas arrestimit në Lushnjë: Po përsëritet skema e Belerit, kjo është propagandë e pastër
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj arrestimit të 38-vjeçarit Marin Leka në Lushnjë, duke e quajtur ngjarjen një simulim të orkestruar nga strukturat shtetërore për të diskredituar opozitën. Ai përmendi me emër Vlora Hysenajn dhe Ardi Veliun, të cilët i akuzon si organizatorë të kësaj skeme për llogari të mazhorancës dhe policisë.
Në deklaratën e tij publike, Berisha tha:
“Po të garantoj mijë për mijë, kjo është si rasti i Belerit. Të gjitha janë simulime të organizuara nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, për të provokuar, sepse e dinë që pas 11 majit do fluturojnë.”
Më tej, ai nënvizoi se nëse ndonjë person brenda PD-së është përfshirë, do të përjashtohet menjëherë si i infiltruar nga strukturat e SHISH-it apo policisë kriminale. Sipas tij, ky është një tentativë për të njollosur opozitën përpara zgjedhjeve, duke shfrytëzuar të njëjtën formulë që u përdor ndaj Fredi Belerit në zgjedhjet vendore.
Berisha përfundoi duke e quajtur këtë ngjarje një provokim të organizuar nga ekspertë të vjetër të Sigurimit të Shtetit, që po përdorin të njëjtin skenar për të ndikuar në klimën elektorale.