
Strategu Amerikan Zbulon Detaje Nga Fushata Me Ish-Presidentin E SHBA: “Trump Është I Njëjtë Brenda Dhe Jashtë Kamerave”
Chris LaCivita, bashkëmenaxheri i fushatës së Donald Trump, ka ndarë për herë të parë detaje nga bashkëpunimi i tij i ngushtë me ish-presidentin amerikan, duke zbuluar një përditshmëri intensive dhe mbresëlënëse me liderin më polarizues të kohëve moderne.
“Për 3 vite kam qenë bashkëmenaxher i fushatës së Presidentit Trump. Çdo ditë fluturonim në të njëjtin avion me të. Ai është i njëjtë si në kamera edhe jashtë tyre – me një sens humori brilant dhe energji të jashtëzakonshme,” u shpreh LaCivita gjatë një interviste për “Opinion”.
Ai rrëfeu se në fund të ditëve të stërzgjatura të punës, ndërkohë që vetë kishte nevojë të flinte, Trump vazhdonte të bënte telefonata, të diskutonte strategji dhe të komunikonte me njerëzit.
“Nuk ndalet kurrë. Është i pareshtur,” theksoi LaCivita.
Mësime Nga Trump Në Fushatën Shqiptare
Ky rrëfim nuk është vetëm një anekdotë nga jeta e një strategu politik, por një vijë e qartë e ndikimit të stilit Trump në mënyrën se si LaCivita po drejton fushatën e opozitës në Shqipëri: me sulme të drejtpërdrejta, mesazhe të qarta, karizmë individuale dhe mobilizim agresiv të elektoratit.
LaCivita sjell jo vetëm përvojë ndërkombëtare, por edhe një filozofi politike të ndërtuar mbi energji, përballje dhe fokus te figura e liderit. Dhe ky model, sipas tij, mund të jetë çelësi për fitoren e opozitës më 11 maj.