
Shqipëria e Edi Ramës po shndërrohet në një strehë për përdhunues, trafikantë dhe vrasës. Në emër të një “borxhi” imagjinar ndaj Italisë, Rama ka hapur dyert e vendit për më të rrezikshmit e Europës, duke i sjellë me ceremoni shtetërore në kampin e Gjadrit – një kamp që tashmë nuk ngjan më me një qendër për ndihmë humanitare, por me një Guantanamo ballkanike.
Vetëm pak ditë pas mbërritjes së 40 të dëbuarve nga Italia, kampi në Gjadër shpërtheu në dhunë. Emigrantë me precedentë penalë për përdhunim, vrasje të mbetura në tentativë, trafik armësh dhe drogë, u përleshën me policinë dhe shkatërruan infrastrukturën e brendshme. Xhama të thyer, dhoma të plaçkitura, dyshekë të shqyer – ky është rezultati i parë i marrëveshjes Rama-Meloni, nënshkruar me flamuj, kamera dhe propagandë.
Kush janë të dëbuarit që po mbushin Shqipërinë?
Nuk janë azilkërkues. Nuk janë njerëz që ikin nga lufta apo uria. Janë individë të rrezikshëm për rendin publik, të dënuar për dhunë seksuale, për tentativë vrasjeje, për trafik ndërkombëtar droge. Këta janë “mysafirët” që Rama pranoi të strehojë në Shqipëri. Dhe për çfarë? Për një borxh të paemërtuar ndaj Italisë.
Rama e mohoi më parë – sot e kthen Shqipërinë në vend të dënimit kolektiv
Edi Rama në vitin 2022 e deklaroi qartë: “Shqipëria nuk do të jetë kurrë vend i kampeve për refugjatët.” Sot ai jo vetëm që e ka shkelur publikisht këtë premtim, por e ka kthyer vendin në një tokë penaliteti të importuar, ku kriminelët që nuk duhen në Itali, po gjejnë strehim me firmë të kryeministrit shqiptar.
A ishte ky çmimi për heshtjen e Italisë ndaj aferave të qeverisë?
A ishte ky “borxhi” për të blerë heshtjen italiane mbi çështjen McGonigal, inceneratorët, apo dosjet e pazbardhura që po kalojnë kufijtë? Sepse nëse e gjitha kjo bëhet në emër të miqësisë, atëherë është miqësi mbi kurrizin e shqiptarëve, të cilëve u ofrohet dhunë, varfëri dhe kriminalitet, ndërsa taksat e tyre përdoren për të ushqyer marrëveshje të fshehta politike.
Qytetarët nuk janë votues të paditur – janë njerëz që po jetojnë me pasojat
Rama do të vazhdojë të flasë për integrim, BE, samite dhe ndihma ndërkombëtare, por realiteti është ky: ai po e zhyt Shqipërinë në baltën e marrëveshjeve të errëta, ku vendi ynë bëhet burg për kriminelët e Europës dhe shqiptarët mbesin peng të një qeverie që u kthen pasaportën me burgun.
Kjo nuk është as siguri, as drejtësi, as shtet. Është tradhti ndaj popullit shqiptar.
Dhe historia do ta mbajë mend këtë:
Edi Rama e fali Shqipërinë për llogari të të tjerëve.