
Në një hark kohor prej pak orësh, dy atentate mafioze kanë tronditur Shqipërinë. Vrasja e Gjovalin Prendit në Lezhë dhe atentati me katër të plagosur në Tiranë përbëjnë një sinjal të rrezikshëm destabilizimi, ku rendi dhe siguria janë thjesht një karton që shkelmohet nga grupet kriminale.
Cilët janë të plagosurit në atentatin e Tiranës?
Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, të plagosurit janë:
- A. S., 34 vjeç – ndodhet në gjendje të rëndë
- K. M., 19 vjeç – po ashtu në terapi intensive
- Një 11-vjeçar dhe një 17-vjeçar – të miturit janë plagosur nga të shtënat dhe ndodhen nën vëzhgim mjekësor
Autorët kanë përdorur armë automatike dhe kanë qëlluar në lëvizje, çka tregon për profesionistë të krimit me përvojë. Ata më pas kanë djegur automjetin në një skenar klasik të mafies urbane shqiptare.
Policia dhe drejtësia e munguar: Pse askush nuk mbahet përgjegjës?
Janë të shumta ngjarjet që pasohen nga komunikata sterile policore e nga një heshtje e thellë institucionale. Pavarësisht dhjetëra atentateve në muajt e fundit, asnjë zyrtar i lartë nuk ka dhënë dorëheqje, asnjë masë nuk është marrë për të frenuar terrorin në rrugë.
Në vend të hetimeve – lajme për asfalt dhe qylyma fluturues.
Qeveria, në vend që të trajtojë situatën alarmante të sigurisë publike, po mban fjalime elektorale për “Shqipërinë Rozë” dhe gratë që do ta shpëtojnë vendin nga… burrat “çyrykë”. Por realiteti është ky: askush nuk është i sigurt, as në makinë, as në lokal, as në rrugë.
A është kjo valë atentatesh pjesë e një lufte bandash?
Ka dyshime serioze se atentatet e fundit janë të lidhura me larje hesapesh midis grupeve kriminale me aktivitet në Shqipëri dhe jashtë saj.
Pse policia nuk po ndalon askënd?
Sepse grupet kriminale janë të sofistikuara, të lidhura me elementë në institucione, dhe shumë shpesh kanë informacione të brendshme që i ndihmojnë të shmangin ndjekjen.
A do ketë arrestime?
Në historinë e krimit shqiptar, atentate të tilla rrallëherë çojnë në arrestime të vërteta. Hetimet zgjasin me muaj dhe mbyllen në dosje të pluhurosura.
Shqipëria, ku jeton kush fshihet më mirë
Kur fëmijët përplasen nga plumbat në rrugë dhe autorët i japin flakë makinave pa u ndalur nga askush, jemi në një vend ku krimi është me një hap para shtetit. Atentatet janë bërë gjuha e përditshme e pushtetit paralel dhe ajo që nuk thuhet është më e frikshme se ajo që raportohet.
Ndërsa qytetarët struken nën hijen e frikës, pushteti mban fjalime për arritje, propagandë dhe Evropën që është “grua”. Por Shqipëria është sot një zonë gri, ku barazia para ligjit ka vdekur me armë në dorë dhe me fëmijë të plagosur.