
TIRANË – Një atentat i përgjakshëm në mbrëmjen e 17 prillit ka tronditur Tiranën, duke lënë katër të plagosur, mes tyre dy fëmijë. Shënjestra e dyshuar ishte gruaja e të ndjerit Roan Brahimi, por për shkak të një ngatërrese tragjike në targë dhe tipin e mjetit, u qëllua familja e pronarit të kompanisë “Pelikan Security”.
Makina tip “G-Class” ku ndodheshin katër persona u qëllua me breshëri në ecje përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan, në segmentin pranë AgroPark-ut. Brenda mjetit ndodheshin Arens Stafa (34 vjeç), Marko Demiraj (17), Dior Demiraj (11) dhe Kian Mullaj (19). Të rinjtë ishin duke u kthyer nga një festë ditëlindjeje në Shijak, për 11-vjeçarin Dior.L
Lexo edhe:
Babai I Roan Brahimit Ekzekutohet Në Lezhë – Lidhjet Me Krimin Në Krujë E Athinë
Plumbat ishin ‘për një tjetër’: Gruaja e Roan Brahimit. Sipas burimeve policore, autorët ngatërruan mjetin që i përkiste familjes Demiraj me makinën e bashkëshortes së Brahimit, për shkak të një gërme dhe numri të ngjashëm në targë.
Kronologjia e ngjarjes:
- Rreth orës 21:30, autorët, që lëviznin me një motor tip Dukati, ndoqën “G-Class”-in që po lëvizte nga rrethrrotullimi i Shkozës drejt Lundrës.
- Gjatë ndjekjes rreth 1.5 kilometra, autorët qëlluan pandërprerë mbi mjetin, me mbi 30 plumba të regjistruar nga ekspertiza.
- Shoferi, Arens Stafa, humbi ndjenjat nga plagët e marra. Persona të rastësishëm ndihmuan për transportimin e të plagosurve në Spitalin e Traumës.
Gjendja shëndetësore:
- Dior Demiraj (11) është në gjendje të rëndë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
- Marko Demiraj (17) është stabël.
- Arens Stafa dhe Kian Mullaj ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Lexo edhe:
Atentati në Tiranë/ 19-vjeçari i plagosur është djali i drejtoreshës së Raiffeisen Bank
Dyshimet:
- Policia dyshon se sulmi ka lidhje me atentatin mafioz në Pllanë të Lezhës të ndodhur po atë ditë, ku u vra Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit (alias Sidorel Prendi), i ekzekutuar më herët në Greqi.
- Shënjestra e atentatit në Tiranë besohet të ketë qenë gruaja e Brahimit, e cila lëviz me një mjet të ngjashëm dhe banon pranë familjes Demiraj.
Deklarimet e gruas së Roan Brahimit: Ajo ka pohuar para policisë se nuk ka konflikte personale, por nuk e përjashton mundësinë që të jetë në shënjestër për shkak të përplasjeve të të shoqit me grupe të tjera. Ajo ka mohuar të ketë qenë në Lezhë në momentin e vrasjes së vjehrrit.
Hetimet:
- Në polici është marrë në pyetje edhe një biznesmene me inicialet A.M., roli i së cilës nuk është bërë ende publik.
- Autoritetet po verifikojnë nëse brenda mjetit të qëlluar ishte edhe një person i pestë, që mund të ketë qenë shënjestra reale e atentatit.
Kush ishte shënjestra e atentatit në Tiranë?Sipas burimeve të policisë, besohet se shënjestra ka qenë gruaja e Roan Brahimit, por autorët ngatërruan makinën e saj me atë të familjes Demiraj.
Cila është lidhja me atentatin në Lezhë?
45 minuta para atentatit në Tiranë, në Lezhë u vra Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit. Dy atentatet dyshohet se kanë një lidhje hakmarrjeje ose pasojë e borxheve kriminale.
Kush janë të plagosurit?
Arens Stafa (shofer), Marko Bardhi Demiraj (17), Dior Demiraj (11) dhe Kian Mullaj (19), të gjithë pa precedent penal dhe pa konflikte të njohura.
Çfarë mjeti u përdor nga autorët?
Autorët kanë qenë me një motor tip Dukati dhe ndihmoheshin nga një automjet tjetër që i priste pas atentatit.
Sa e rëndë është gjendja e të plagosurve?
Gjendja më kritike është për 11-vjeçarin Dior Demiraj, ndërsa të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.