
Pas raportimit të atentatit mafioz të ndodhur mbrëmjen e 17 prillit në Tiranë, ku katër persona mbetën të plagosur, mes tyre dy të mitur, dalin në dritë detaje të reja lidhur me identitetin e njërit prej të plagosurve.
Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se 19-vjeçari Kian Mullahi është djali i Elona Koçi Mullahit, anëtare e bordit të korporatave dhe drejtoreshë e një dege të Raiffeisen Bank në Tiranë.
Kujtojmë se atentati ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Shkozës, ku një automjet që transportonte djemtë e një sipërmarrësi të njohur dhe mikun e tyre, u qëllua me breshëri armësh zjarri nga një tjetër mjet në lëvizje. Pas ndjekjes dhe të shtënave, automjeti tip G-Class, në pronësi të familjes Demiraj, doli nga rruga dhe u përplas, ndërsa autorët dogjën makinën që përdorën për sulmin, në zonën e Lundrës.
Të plagosurit janë:
- D.Demiraj (11 vjeç) – në gjendje të rëndë
- M.Demiraj (17 vjeç) – në gjendje stabile
- Kian Mullahi (19 vjeç) – djali i Elona Koçi Mullahit, jashtë rrezikut
- Arens Stafa (34 vjeç) – shoferi i familjes, jashtë rrezikut
Të plagosurit kanë marrë dëmtime në duar dhe krahë, ndërsa dy prej tyre janë futur në sallën e operacionit.
Policia ka nisur hetimet, por deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa identifikimi i autorëve mbetet ende i paqartë.