
Për herë të parë, Dritan Rexhepi, një nga personazhet më të përfolur të krimit ndërkombëtar, ka dhënë dëshminë e tij publike në Gjykatën e Posaçme, lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Ai mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se në fund të vitit 2019 ishte në burg në Ekuador, duke vuajtur një dënim 13-vjeçar për trafik droge.
“Nëse doni të më pyesni për çështjen, më pyesni, por mos më bëni gjyq moral,” tha Rexhepi, i cili shpjegoi se kishte komunikuar me njerëz jashtë vetëm përmes kabinës telefonike të burgut. Ai shtoi se kishte afërsi me një të dënuar nga Kosova dhe se kishte dëgjuar për emrat e përmendur në dosje vetëm nga media apo dokumente të sjella nga avokatja e tij.
Ai përmendi emra si Gentian Docaj (Funiqi), Martin Bleta, dhe Korado Gështenja, duke mohuar çdo njohje me ta. Sipas tij, për vjedhjen e drogës në portin e Portsmouth-it në Londër — e cila dyshohet si shkak i rrëmbimit të Prengës — nuk kishte asnjë informacion, përveç atij që mori më vonë nga media shqiptare dhe familjarët e tij.
Dritan Rexhepi mohoi kategorikisht se kishte bashkëpunuar apo organizuar veprime kriminale nga burgu, dhe deklaroi se është akuzuar për diçka që, sipas tij, “nuk kishte asnjë dijeni që kishte ndodhur në Shqipëri”.
Ky zhvillim shënon një pikë kthese në hetimin e një prej ngjarjeve më të rënda kriminale në Shqipëri, ku rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës mbetet ende një dosje me shumë pikëpyetje për drejtësinë.