
Nga Alexis Marie Adams – New York Times | Fotografi dhe video nga Ilir Tsouko
Ujërat vezulluese të lagunës së Nartës pasqyronin qiellin e kthjellët — derisa një zog i bardhë, i madh, fluturoi drejt saj nga Adriatiku, duke prekur sipërfaqen me këmbët që i vareshin. “Është pelikani Dalmat,” tha guida ime, Julian Hoffman.
Ishte hera ime e parë që shihja pelikanin në natyrë dhe qesha me gëzim. E kisha njohur për herë të parë përmes një litografie të natyralistit dhe piktorit të shekullit XIX, Edward Lear, që qëndronte varur në murin e gjyshërve të mi. Me sqepin e ekzagjeruar dhe puplat e bardha mbi kokë, dukej si një personazh vizatimor i gëzuar nga fëmijëria ime – me përjashtim të syve, që më dukeshin të trishtuar dhe plot pyetje.
Pelikani u ndal në ujë, duke ngritur lehtë disa spërkla. Pas tij, u bashkuan edhe zogj të tjerë: flamingo të mëdhenj, çafka të hirta, lugatë euroaziatikë dhe një tufë pulëbardhash të vogla. Të gjithë u mblodhën, u zhytën në ujrat e qera, kërkuan ushqim, cicërruan dhe lodruan.
Unë dhe Hoffman po ecnim në një rrug rëre në jugperëndim të Shqipërisë, midis vezullimit të detit Adriatik dhe qetësisë së lagunës së Nartës – një vend i çmuar për shpendologët për shkak të shumëllojshmërisë së pasur të faunës së shpendëve. Destinacioni ynë ishte një kodër që ofronte pamje të gjithë deltës së lumit Vjosë, me një sipërfaqe prej 59,000 hektarësh. Delta përfshin lagunën, dunat e rërës, pyjet, pishinat e kripës dhe fshatra peshkimi.
Delta është shtëpia e dhjetëra llojeve të bimëve dhe kafshëve – shumë prej të cilave janë në rrezik zhdukjeje, si pelikani Dalmat. Që në kohën kur Lear e pikturoi këtë zog, popullsia e tij ishte në rënie për shkak të gjuetisë dhe humbjes së habitatit. Sot, ky shpend renditet si “afër kërcënimit” nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, ndërsa në Shqipëri cilësohet “në rrezik kritik” nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. “Prandaj vende si kjo deltë janë të pazëvendësueshme për mbijetesën e tij,” tha Hoffman.
Përplasja: Aeroporti, Investitorët Amerikanë dhe Ekosistemi në Rrezik

Kisha udhëtuar drejt deltës për të parë një vend të njohur për egërsinë e tij — përpara se ajo egërsi të zbehej. Në vitin 2021, makineritë nisën ndërtimin në skajin verior të lagunës së Nartës për të ndërtuar një aeroport ndërkombëtar, pjesë e një plani të gjerë për zgjerimin e turizmit në rajon. Punimet vazhdojnë ende, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, si dhe thirrjeve të përsëritura nga Konventa e Këshillit të Europës për Ruajtjen e Faunës dhe Habitateve Natyrore për ta ndalur projektin.
Kur arritëm në majë të kodrës, përveçse përballë një peizazhi të mrekullueshëm, ndodheshim edhe mbi atë që mund të kthehet së shpejti në një resort luksoz prej 1,100 hektarësh me 6,000 dhoma hoteli dhe vila, sipas planeve të Jared Kushner dhe firmës së tij të investimeve “Affinity Partners”. Modelet arkitekturore tregojnë ndërtesa moderniste me disa kate, të ndërtuara në rreshta përgjatë lagunës dhe dunave, me qendra tregtare, pishina, marina, jahte dhe një rrugë me asfalt që do të lidhë resortin me aeroportin e ri.
Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, planifikojnë gjithashtu një resort tjetër prej 1,400 hektarësh në ishullin e pabanuar të Sazanit, rreth 10 kilometra nga bregu, brenda një parku kombëtar detar. Të dy projektet, me një vlerë investimi prej më shumë se 1 miliard dollarësh, kanë shkaktuar pakënaqësi mes banorëve lokalë, të cilët dyshojnë se qeveria shqiptare po i jep hapësirë Kushner-it për të forcuar marrëdhëniet politike me vjehrrin e tij, presidentin amerikan Donald Trump — një pretendim që kryeministri Edi Rama e ka mohuar publikisht.
Asher Abehsera, një drejtues amerikan që mbikëqyr projektet për “Affinity Partners”, tha në një email se firma ishte tërhequr nga zona për “bukurinë natyrore, qetësinë dhe afërsinë me qytetin e Vlorës”. Ai shtoi se aeroporti i ri pritet të rrisë ndjeshëm lidhshmërinë me tregjet turistike ndërkombëtare, duke e bërë këtë destinacion “edhe më të dëshirueshëm.”
“E njohim biodiversitetin e pasur dhe peizazhin natyror përreth lagunës së Nartës,” shtoi Abehsera. “Edhe pse një pjesë e zonës është ndikuar historikisht nga bujqësia dhe ndërhyrjet njerëzore, plani ynë synon të rikthejë dhe përmirësojë kushtet ekologjike.”
Një zëdhënës i firmës “Affinity”, Jonathan Gasthalter, tha se ata kanë kontraktuar firmën globale të inxhinierisë “Arup” si konsulentin kryesor për zhvillimin e qëndrueshëm të projektit. “Arup është standardi i artë për mbrojtjen e mjedisit,” shtoi ai. Përfaqësuesi i “Arup”, Ozgur Gungor, refuzoi të komentojë.
Biodiversiteti i Rrallë dhe Ligji që Ndryshoi Fatet e Deltës së Vjosës

Peizazhi përreth na mbërthente ndërsa ngjiteshim në majën e kodrës me Julian Hoffmanin. Poshtë nesh shtrihej një gji ngjyrë turkez, ndërsa në horizont dalloheshin konturet e ishullit të Sazanit, të rrethuar nga ujërat e gjera të Adriatikut. Në lindje, peshkatarë lokalë, të zhytur deri në bel në lagunë, nxirrnin rrjetat e tyre. Në veri, kilometra të tërë bregdet i paprekur, ndër të fundit në Mesdhe. Në jug, qyteti i Vlorës, i treti më i madh në Shqipëri.
Sipas një kërkimi të realizuar në prill 2024 nga një ekip ndërdisiplinor shkencëtarësh, delta e Vjosës ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm. Ajo strehon rreth 248 lloje shpendësh, përfshirë edhe breshkën caretta-caretta dhe një nga gjitarët më të rrallë në botë – fokën murg mesdhetare. Po ashtu, përbën një pikë kyçe ndalese për miliona shpendë migratorë që ndjekin korridorin e Adriatikut mes Afrikës Subsahariane dhe Europës. Një tjetër studim i vitit 2024 e cilëson deltën si një nga deltat e fundit të paprekura në të gjithë pellgun mesdhetar, duke e konsideruar atë të një rëndësie thelbësore ekologjike për rajonin dhe për Europën.
Kur lumi Vjosë u shpall park kombëtar në mars 2023, delta u përjashtua nga ky status mbrojtës. Megjithatë, deri në atë kohë, laguna dhe delta ishin të mbrojtura me ligj kombëtar dhe konventa ndërkombëtare që ndalojnë zhvillimet e mëdha në territore me biodiversitet të rrallë. Por në shkurt 2024, parlamenti shqiptar miratoi një ligj të ri, që i jep një komiteti të kryesuar nga kryeministri Edi Rama kompetencën për të miratuar projekte të mëdha infrastrukturore në zona të mbrojtura.
Ligji u miratua vetëm tre ditë pas shpalljes publike të planeve të Jared Kushnerit për ndërtimin në lagunë dhe në Sazan. Zyrtarët e Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk u përgjigjën kërkesave për koment nga New York Times.
“Është e qartë pse Kushner ka zgjedhur këtë vend,” tha Hoffman ndërsa shikonim lagunën. “Por është po aq e qartë pse kjo zonë është jetike për migrimin e shpendëve.” Sipas tij, shpendët shmangin Vlorën dhe zonat përreth, pasi ato nuk ofrojnë më habitat të përshtatshëm, dhe mbështeten te kjo deltë për ushqim dhe strehë, ku shtresat e depozituara nga lumi kanë krijuar një mjedis të pasur jetësor.
Miratimi i Projekteve, Krahasimi me Kroacinë dhe Paralajmërimi i Ekspertëve Shqiptarë

Më 30 dhjetor 2024, qeveria shqiptare i dha miratimin paraprak firmës Affinity Partners për ndërtimin e resortit në ishullin e Sazan-it. Ndërkohë, plani për lagunën e Nartës ende nuk është zyrtarisht i miratuar. Por precedenti është i njohur: në Serbi, në maj 2024, qeveria miratoi një projekt tjetër të Jared Kushnerit për ndërtimin e një kompleksi hotelesh luksoze, përfshirë kulla me logon “Trump”, në truallin e Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë, të bombarduar nga NATO. Ky vendim provokoi protesta masive, me mijëra qytetarë në rrugë.
Në Shqipëri, ndërtimi i aeroportit dhe shqyrtimi i projekteve luksoze të Kushnerit janë pjesë e një strategjie të drejtuar nga Edi Rama për ta kthyer vendin në “kampion të turizmit.” Në vitin 2023, Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë. Por në vitin 2024, ajo vijoi të mbetet vendi i pestë më i varfër në Europë.
Kroacia, fqinja veriore, u shndërrua nga një vend i braktisur pas luftës në 1995, në një destinacion të njohur turistik, duke e bërë turizmin një motor të fuqishëm ekonomik. Në vitin 2022, Kroacia kishte një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në BE. Shqipëria po ndjek këtë model me ambicie të ngjashme, por me një kosto që nuk është vetëm financiare.
Ornitologu shqiptar Joni Vorpsi, nga organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, paralajmëron:
“Rama po sakrifikon thesaret natyrore që mund të kishin ndërtuar një ekonomi turistike të qëndrueshme — një ekonomi që do t’i shërbente të gjithëve, jo vetëm një grushti njerëzish.”
Sipas tij, resortet sezonale mbushen vetëm në verë, duke i shtuar presionin infrastrukturës, ndërsa në dimër kthehen në qytete fantazmë. Ai thekson se shumica e të ardhurave nga këto projekte do të përfundojnë në xhepat e korporatave ndërkombëtare, jo te komunitetet lokale.
“Turizmi i bazuar në natyrë, i menaxhuar nga banorët vendas, nuk ndihmon vetëm shpendët – por krijon të ardhura që mbeten këtu, në Shqipëri,” – përfundon ai.
Zëri i Kishës, Banorëve dhe Përplasja mes Shpresës dhe Humbjes

Së bashku me ornitologun Vorpsi, eca nëpër një urë druri që gjarpëronte mbi ujërat e lagunës drejt manastirit të Shën Mërisë, një monument bizantin i shekullit të XIII-të ndërtuar mbi ishullin e Zvërnecit. Atje na priti At Jani Tereziu, prifti ortodoks që kujdeset për kompleksin dhe i cili tregoi histori të hershme të manastirit — por edhe për zogjtë, të cilët i quajti “mrekulli”.
Kur e pyeta për aeroportin dhe projektet që propozon Kushneri, ai tha:
“Manastiri do të kthehet në një destinacion më të madh turistik, por ky nuk është qëllimi i tij. Ai do të rrethohet nga zhvillimi, laguna do të shkatërrohet dhe kuptimi i këtij vendi do të humbasë. Dhe për çfarë? Në dobi të kujt?”
Disa nga njerëzit që takova, si pronarja e re dhe mikpritëse e një hoteli familjar mes lagunës dhe Vlorës, besojnë se zhvillimi do të sjellë më shumë klientë dhe mundësi për sipërmarrjet lokale. Një grua e moshuar në Nartë, fëmijët e së cilës kishin emigruar për punë, shpresonte që investimet do të krijonin vende pune.
Por shumica e banorëve lokalë me të cilët fola gjatë javës në deltë — kamerierë, peshkatarë, shitës, themelues të agjencive aventuriere, madje edhe agjenti ynë i makinave me qira — shprehën shqetësime të thella. Pyetja e priftit, “Kush do të përfitojë vërtet nga ky zhvillim?”, jehonte në çdo bisedë.
Disa kanë frikë nga tejmbushja turistike, mungesa e ujit, apo humbja e tokave dhe qasjes në plazhe e lagunë. Të tjerë besojnë se më shumë infrastrukturë do të sjellë më shumë korrupsion shtetëror. Një grua e ulur jashtë një tregu në Nartë, që u prezantua vetëm si Dhimitra, më tregoi për mbesën e saj që drejton një kafene buzë rrugës në afërsi të Parkut Kombëtar të Vjosës:
“Ajo nuk ka nevojë të humbasë kulturën apo peizazhin e saj për të përfituar nga vizitorët.”
“Nuk jemi kundër turizmit këtu,” shtoi ajo. “Jemi kundër atij lloj turizmi që do të na shkatërrojë tokën dhe traditat.”
Efekti Domino dhe Kontrasti i Dëshpëruar mes Egërsisë dhe Asfaltit të Turizmit

Pasditen e fundit në deltën e Vjosës, drejtova makinën drejt një zone të lagunës ku dikur autoritetet vendore dhe OJF-të kishin bashkëpunuar për ndërtimin e strukturave për vëzhgimin e shpendëve – stenda, tabela informuese dhe rrugë të shënuara. Por rruga ishte e përçudnuar, e mbuluar me gropa dhe pluhur, në shumë vende pothuajse e pakalueshme.
Kur mbërrita në hyrje të rezervatit, një tabelë e zverdhur nga dielli, me një kod QR, të çonte në një faqe të vdekur në internet. Ishte sikur vetë ideja për turizëm të qëndrueshëm, për kërkime dhe edukim mjedisor, të ishte harruar.
Megjithatë, zogjtë ishin ende aty. Në të dy anët e rrugës, pelikanët dhe flamingot ushqeheshin dhe pastronin puplat nën dritën e zbehtë të pasdites. Zhurmat e bretkosave përziheshin me fëshfërimën e lehtë të erës.
Më pas, rruga përfundoi në një gardh të lartë me tela me gjemba, ku përtej tij ndodhej kantiere i ndërtimit të aeroportit, i ndriçuar nga reflektorë të fuqishëm dhe me mjete të rënda që punonin natën. Prej aty, kalova në një rrugë të re, të lëmuar, të gjerë dhe me asfalt të freskët që çon drejt autostradës kombëtare. Ishte një kontrast rrënqethës: parajsa e shpendëve në harresë, e rrethuar nga zhvillimi industrial që përparon me shpejtësi.
Të nesërmen në mëngjes, u ngjita sërish në majën e kodrës për ta parë deltën për herë të fundit. Aty, më kujtua diçka që më kishte thënë Joni Vorpsi:
“Edhe nëse Kushner pretendon se po ndërton ‘në mënyrë ekologjike’, siç thotë, shkatërrimi i një ekosistemi të pazëvendësueshëm nuk mund të jetë i ekologjik.”
Sipas tij, ndërtimi i aeroportit është vetëm fillimi. Ai hap portën për zhvillime të tjera, për resorte të tjera, investitorë të tjerë, një bregdet që do të tjetërsohet pa kthim.
“Do të ketë një efekt domino nga laguna në veri, përgjatë gjithë këtij segmenti të egër të bregdetit shqiptar,” tha ai. “Sepse kur ndërtohet një resort… pse të mos ndërtohet edhe një tjetër?”
Një klithmë e zgjatur zogjsh më ktheu në realitet. Poshtë meje, në lagunë, një flamingo ecte ngadalë në ujin e cekët, ndërsa një tufë egretash u ngritën në fluturim nga sipërfaqja që përthyhej nga valët e lehta. Piktura e Learit, me sytë pyetës të pelikanit të tij, tani nuk ishte më një kujtim i fëmijërisë sime — por një metaforë për atë që kemi për të humbur.