
Pak ditë para se të ndërronte jetë, Papa Françesku vendosi të lërë një nga gjestet më prekëse të papnisë së tij: ai dhuroi 200 mijë euro nga llogaria personale për të burgosurit, si një akt dashurie të heshtur e të sinqertë ndaj atyre që jetojnë pas hekurave.
Detajet janë zbuluar nga Imzot Benoni Ambarus, ipeshkvi i ngarkuar me bamirësinë dhe burgjet pranë Vatikanit, një bashkëpunëtor i ngushtë i Papës në misionin e tij social.
“Françesku nuk kishte më forcë për të ecur, por shkoi zvarrë në burgun e Regina Coeli,” rrëfen Ambarus. “Donte t’i thoshte botës se nuk mund t’i harrojmë të burgosurit.”
Kur ipeshkvi i kërkoi ndihmë për të përballuar nevojat urgjente në burgje, Papa iu përgjigj:
“Nuk kam më fonde në arkën e Vatikanit, por do të shoh në llogarinë time.” Dhe ashtu bëri – dhuroi 200 mijë euro.
Lidhja e Papës me të burgosurit nuk ishte simbolike. Ai i ka larë këmbët të dënuarve, ka hapur për ta Derën e Shenjtë në burgun Rebibbia dhe ka kërkuar një gjest të thjeshtë nga shteti: një ulje simbolike dënimi me një apo dy muaj – por as kjo nuk u realizua.
“Kur flisnim për burgjet, Papa pësonte dhimbje reale. E ndieja se i rëndonte zemra,” – thotë ipeshkvi.
Një i burgosur i kishte rrëfyer se nuk e kishte vizituar askush ndonjëherë, ndërsa të tjerë ecnin zbathur sepse nuk kishin këpucë. “Shteti u jep ushqim, por nuk mjafton. Ata janë njerëz, jo fantazma, janë vëllezërit dhe motrat tona,” – përfundon rrëfimi prekës i Ambraus.