Trump U Bind Pas Katolikëve Vance Dhe Rubio: Pse Vendosi Të Shkojë Në Varimin E Papa Françeskut

0

Presidenti amerikan Donald Trump ngurroi për katër orë para se të njoftonte pjesëmarrjen në funeralin e Papa Françeskut në Romë. Vendimi i tij i vonuar, që fillimisht u la në mëdyshje për shkak të një fundjave të planifikuar me golf, u ndikua nga nënpresidenti J.D. Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, të dy figura të rëndësishme në kabinetin e tij dhe katolikë të devotshëm.

Pas shpalljes së vdekjes së Papës mëngjesin e 21 prillit, Trump nënshkroi urdhrin për valëvitjen në gjysmështizë të flamurit amerikan në të gjitha institucionet federale dhe mbajti një qëndrim të kujdesshëm në fillim. Ai shfaqi një mesazh ngushëllimi në platformën e tij “TRUTH”, por ndërkohë organizoi edhe festën e Pashkëve “Easter Egg Roll” në Shtëpinë e Bardhë, një aktivitet që vijoi normalisht, pavarësisht zisë globale.

Nga ballkoni i rezidencës, ai u shpreh se Papa Françesku ishte një “burrë i mirë”, ndërkohë që një djalosh i veshur si lepur argëtonte fëmijët poshtë tij — një pamje e çuditshme për një ditë zie ndërkombëtare.

Vetëm më pas, ndërhyrja e Vance, i cili kishte takuar së fundmi Papën dhe kërcënoi se do ta përfaqësonte vetë SHBA-në nëse Trump nuk shkonte, si dhe insistimi i Rubio-s që theksoi peshën e momentit historik, e bindën presidentin. Në orën 15:58, Trump vendosi zyrtarisht të marrë pjesë në funeral, i shoqëruar nga Melania Trump.

Tashmë, diplomatët evropianë po përpiqen të përdorin praninë e Trump në Vatikan për të organizuar takime bilaterale, përfshirë një samit të propozuar nga Giorgia Meloni mes BE-së dhe SHBA-së, menjëherë pas meshës për Papën në Sheshin e Shën Pjetrit.


Artikulli i mëparshëmShërbimet Arsimore Kryesuan Rritjen e Shpenzimeve të Familjeve Shqiptare në 1995–2023
Artikulli i radhësEfekti “Trump”: OBSH Pranon Shkurtimet Masive Pas Mungesës Së 650 Milionë Dollarëve