SPAK Refuzon Procedimin Penal Për Artan Gaçin Dhe Olta Xhaçkën – Vendimi Shkon Në Apel

0

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të ankimojë në Apelin Antikorrupsion vendimin e Gjykatës së Posaçme, që e detyronte të regjistronte një procedim penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Sipas SPAK, janë kryer hetime të plota, përfshirë edhe analizimin e dokumentacionit mbi përfitimin e truallit dhe veprimtarinë e Artan Gaçit në këtë proces. Organi i akuzës sqaron se nuk rezulton asnjë përfitim konkret nëpërmjet dokumenteve të pretenduara si të falsifikuara, që do të kishin lidhje me postin e mbajtur nga Olta Xhaçka në atë periudhë.

“Vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i pambështetur në ligj dhe prova, dhe duhet të ndryshohet në tërësinë e tij,” – deklaron prokurori Ols Dado.

Gjykata e Posaçme kishte urdhëruar hetim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrim parash” ndaj Gaçit dhe “Shpërdorim detyre” ndaj Xhaçkës, pas kallëzimit të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me çështjen e Jorgo Goros, që ndodhet në paraburgim prej marsit 2023.

SPAK thekson se kjo çështje ka kaluar më herët në filtrin gjyqësor, në kuadër të dosjes penale nr. 189/2023, dhe se nuk janë konstatuar shkelje apo hetime të paplota, siç pretendon pala kallëzuese.

Seanca e Apelit do të mbahet sot, dhe shqyrtimi do të bëhet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila do të vendosë nëse ankimi i prokurorit do të pranohet, apo do të mbetet në fuqi vendimi i GJKKO-së për fillimin e hetimeve.



Artikulli i mëparshëmXhelal Mziu dhe nipi i tij në SPAK pas akuzave për dhunë ndaj një zyrtari në Bulqizë
Artikulli i radhësNë Gjyq Për Rrahjen E Klea Prengës, Antonela Berisha I Sulet Një Personi Që Po E Filmonte: “Ej, Mos Bëj Video”