
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të fundit në qytetin e Vlorës është konstatuar prania e lartë e aflatoksinës M1 në produktet e qumështit, një substancë e njohur për efektet e saj të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht te fëmijët.
Aflatoksina M1 kalon në qumështin e kafshëve që ushqehen me foragjere të kontaminuara dhe klasifikohet si një agjent kancerogjen i fuqishëm.
Gjatë fushatës së monitorimit të zhvilluar nga janari deri në prill 2025, AKU analizoi 26 mostra qumështi dhe nënproduktesh. Rezultatet treguan se 10 mostra, ose rreth 40%, kishin nivele të aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar të sigurisë ushqimore.
Pas analizave laboratorike të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU nisi menjëherë hetimet në pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e ndotura. Të gjitha produktet e kontaminuara janë tërhequr nga tregu, për të mbrojtur konsumatorët.
AKU ka nisur gjithashtu një proces hetimi për të identifikuar burimin e ndotjes dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë, qytetarët në Vlorë këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të autoriteteve për sigurinë ushqimore.