
Një vendim surprizë ka tronditur botën e futbollit vetëm pak orë para finales së Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës në Sevilje. Trajneri Karlo Ançeloti ka vendosur të lërë jashtë formacionit titullar yllin francez, Kilian Mbape.
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, burime pranë klubit madrilen konfirmojnë se Mbape nuk është në gjendjen optimale fizike, pas problemeve që shfaqi në ndeshjen e fundit ndaj Arsenalit. Për këtë arsye, Ançeloti ka zgjedhur të mos rrezikojë duke e lënë atë jashtë 11-shes së parë.
Mbape do të jetë në stol, dhe mund të aktivizohet në pjesën e dytë, në varësi të ecurisë së ndeshjes dhe nevojës që do të ketë Real Madridi ndaj Barcelonës.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh në taktikat e ndeshjes, duke bërë që zgjedhjet e Ançelotit të jenë edhe më të kufizuara në këtë finale të zjarrtë.
Finalja e shumëpritur zhvillohet sonte në Sevilje, ku gjithë bota do të ketë sytë te përballja titanike mes dy rivalëve historikë.