
Sot, Vatikani është kthyer në kryeqendrën e botës, ku udhëheqës botërorë, mbretër, refugjatë dhe qindra mijëra besimtarë i japin lamtumirën Papa Françeskut.
Mijëra njerëz kanë zbarkuar në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në funeralin e Papës, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare, pas komplikimeve nga pneumonia dhe një dështim zemre.
Në këtë ceremoni madhështore janë të pranishëm rreth 130 delegacione të huaja dhe mbi 200,000 pelegrinë. Shqipëria përfaqësohet nga Presidenti Bajram Begaj dhe krerët e bashkësive fetare.
Në mesin e liderëve botërorë që po marrin pjesë janë: Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Princi William.
Mesha e varrimit, e cila drejtohet nga kardinali italian Giovanni Battista Re, nisi në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale. Siguria është në nivelin më të lartë me mijëra policë, ushtarakë dhe Gardën Zvicerane, ndërsa mbi Vatikan janë vendosur snajperë dhe avionë luftarakë.
Në përputhje me dëshirat e tij, arkivoli i thjeshtë prej druri i Papa Françeskut do të vendoset në bazilikën Santa Maria Maggiore. Varrimi do të jetë një ceremoni intime, pa dekorime luksoze, dhe varri do të mbajë vetëm mbishkrimin e emrit të tij: Franciscus.
Papa Françesku njihet si figura që modernizoi imazhin e Kishës Katolike, duke u fokusuar te të varfrit, refugjatët dhe shtresat e margjinalizuara të shoqërisë.
Pas funeralit, pritet që më 5 maj të nisë konklava, procesi i fshehtë për zgjedhjen e pasardhësit të tij.