Zgjedhjet E 11 Majit, SPAK Dhe BKH Zbarkojnë Në Elbasan

0

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një prani e jashtëzakonshme e agjentëve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK-ut është vërejtur në qytetin e Elbasanit.

Dhjetëra efektivë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë mbërritur këtë fundjavë në qytet, duke vendosur një regjim të rreptë monitorimi për procesin zgjedhor.

Sipas burimeve, kjo prani e shtuar është mbështetur nga OSBE-ja, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, të cilat kanë vendosur një makineri të plotë kontrolli mbi aktivitetin elektoral të kandidatëve dhe mbështetësve të tyre.

Në fokus të monitorimit janë:

  • Përdorimi i burimeve publike
  • Abuzimi me administratën
  • Qarkullimi i parave të pista
  • Ndikimi i krimit të organizuar
  • Tentativat për blerje votash

Grupi i monitorimit, i kryesuar nga prokurori Olsi Dado, është pajisur me teknologji të avancuar për dokumentimin në kohë reale të çdo shkeljeje të mundshme.

Autoritetet paralajmërojnë se kushdo që kapet në shkelje, qoftë kandidat apo mbështetës, rrezikon humbjen e mandatit dhe ndjekje penale.

Ndërkohë, edhe media është vënë nën monitorim për raportimin korrekt të fushatës, pas disa rasteve të lajmeve të pavërteta të publikuara nga portale që synonin të njollosnin atmosferën e qetë të zgjedhjeve.

Qarku i Elbasanit konsiderohet aktualisht si një nga më të “blinduarit” në të gjithë vendin për garantimin e pastërtisë së procesit zgjedhor.


Artikulli i mëparshëmSot Ditë Zie Kombëtare Në Nder Të Papa Françeskut, Flamurët Ulen Në Gjysmështizë
Artikulli i radhësAksidentohet Autobusi I Ekipit Skënderbeu Në Volejboll Të Vajzave Në Qafë Thanë