Arbjan Mazniku Merret 4 Orë Në Pyetje, Dosja Mund T’i Kalohet SPAK-ut

0

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, është marrë në pyetje për më shumë se 4 orë nga Prokuroria e Tiranës, në kuadër të një hetimi penal që lidhet me veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Sipas raportimeve të gazetare Klodiana Lala, Mazniku, njëherazi drejtues politik i PS-së në qarkun Elbasan, është thirrur rreth tre javë më parë për të dhënë shpjegime në lidhje me projektin e rrugës “Xhon Belushi” në Tiranë, një çështje që lindi pas një kallëzimi të bërë nga kandidati opozitar Belind Këlliçi gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës.

Rruga “Xhon Belushi”, Tenderi Skandal

Në qendër të hetimit është fakti që rruga u asfaltua nga Bashkia e Tiranës në një kohë kur tenderi për rikonstruksionin e saj ishte ende i hapur dhe nuk ishte shpallur kompania fituese. Pas publikimit të skandalit, tenderi u anulua, ndërsa në prokurori u kallëzua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Gjatë periudhës së asaj kohe, Arbjan Mazniku ushtronte funksionin e nënkryetarit të Bashkisë dhe kishte cilësinë e autoritetit kontraktor, çka e vendos automatikisht në qendër të përgjegjësive ligjore.

Çështja drejt SPAK?

Burime pranë Prokurorisë së Tiranës theksojnë se po shqyrtohet mundësia që dosja t’i kalojë SPAK-ut, për shkak të dyshimeve të forta se mund të jenë konsumuar vepra penale që hyjnë në kompetencën e Prokurorisë Speciale.

Nëse vendoset transferimi i dosjes, hetimi ndaj Maznikut dhe të tjerëve mund të marrë një dimension shumë më serioz, duke përfshirë edhe figura të tjera të rëndësishme të administratës së Tiranës.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten zhvillime të reja që mund të thellojnë krizën ligjore për zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.


Artikulli i mëparshëmNdërprerje Masive Energjie Në Spanjë Dhe Portugali: Miliona Njerëz Pa Drita, Alarmin Jep Edhe Franca
Artikulli i radhësDalin Pamjet: Breshëri Plumbash Ndaj 31-Vjeçarit Nga Kosova Në Zvicër