
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Brugg në Zvicër, ku persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi ndaj një automjeti Skoda, brenda të cilit ndodheshin dy persona.
Si pasojë e të shtënave, është plagosur një 31-vjeçar nga Kosova, i cili ndodhej në automjet në momentin e sulmit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në spital. Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të tjera për gjendjen shëndetësore apo identitetin e tij.
Sipas dëshmitarëve, autorët janë larguar me një BMW të zezë nga vendi i ngjarjes. Makina e të plagosurit kishte shenja të shumta plumbash, ndërsa njëri prej xhamave ishte i thyer. Një banore e zonës deklaroi se dëgjoi të shtënat dhe më pas pa forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje.
Policia zvicerane ka ndaluar një 24-vjeçar zviceran dhe një tjetër person nga Kosova, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit të përkohshëm deri në zbardhjen e plotë të rrethanave.
Në vendin e ngjarjes u pa gjithashtu edhe një Mercedes i zi me parakolp të dëmtuar dhe xham pasagjeri të thyer, ndërsa sinjali i kthesës së urgjencës ishte i ndezur. Nuk është konfirmuar ende nëse ky automjet ka lidhje me atentatin ndaj Skodës.
Sipas banorëve, këto të shtëna nuk janë incidenti i parë në atë parkim, çka shton shqetësimet për sigurinë në këtë zonë.
Ngjarja e rëndë në Zvicër vjen në një kohë kur rastet e dhunës me armë mes shqiptarëve në mërgatë janë në rritje, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike dhe kontrollin e armëve.