
Në mes të polemikave për marrëveshjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara, Nuredin Seci, shqiptaro-amerikani që ka firmosur kontratën për Partinë Demokratike, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të dokumenteve zyrtare.
Kontrata e nënshkruar midis Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe kompanisë Continental Strategy, të drejtuar nga ish-këshilltari i Presidentit Trump, Carlo Trujillo, parashikon një lobim në favor të PD-së pranë administratës amerikane dhe mund të arrijë vlerën e 6 milionë dollarëve për një periudhë dyvjeçare.
Reagimi I Nuredin Secit
Përmes një mesazhi të dërguar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Seci theksoi se ndodhet me pushime me familjen dhe nuk mund të japë deklarata të tjera për momentin. Megjithatë, ai nënvizon se çdo gjë është e dokumentuar dhe transparente.
“Ju faleminderit për interesimin, por unë këto ditë jam me pushime me familjen larg dhe jam i pamundur. Për lobimin flet kontrata, e ka Departamenti i Shtetit dhe besoj që këtu çdo gjë bëhet transparente! Ju faleminderit për mirëkuptimin.” – shkroi Seci.
Kontrata është firmosur gjithashtu nga Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i PD-së, në cilësinë e përfituesit zyrtar, siç kërkohet nga ligji amerikan për lobimin.
Shpenzime Marramendëse Dhe Pyetje Pa Përgjigje
Sipas dokumenteve, marrëveshja mund të ndërpritet përpara afatit të saj dyvjeçar, në varësi të rezultateve ose zhvillimeve politike. Megjithatë, shuma prej 6 milionë dollarësh mbetet një ndër më të lartat në historinë e lobimit nga partitë shqiptare.
Reagime të shumta politike janë ngritur, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, mbi burimin e këtyre fondeve dhe ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në raportet me SHBA-në.