Skandal Në Gjadër: Zhduken 16 Emigrantë Nga Kampi, Reagon Ministria e Brendshme Italine

0

Një skandal i rëndë ka tronditur kampin e Gjadrit në Shqipëri, ku 16 nga 41 emigrantë të vendosur aty janë zhdukur pa lënë gjurmë. Deputetja italiane Rachele Scarpa dhe eurodeputetja Cecilia StradaPartisë Demokratike italiane kanë denoncuar publikisht këtë rast, pas një inspektimi zyrtar të kryer gjatë fundjavës.

Emigrantët kishin mbërritur në Gjadër më 11 prill, të shoqëruar nga forcat italiane të rendit dhe me pranga në duar, një veprim që nxiti kritika të ashpra nga opozita italiane dhe grupet e të drejtave të njeriut. Sipas raportimeve, në qendër ndodheshin vetëm 25 persona, ndërsa për 16 të zhdukurit mungon informacioni i plotë.

Sipas Scarpa dhe Strada, autoritetet nuk kanë ofruar asnjë informacion zyrtar për fatin e emigrantëve të zhdukur. Në deklaratën e tyre thuhet se:

  • 1 person u rikthye në Itali menjëherë pa hyrë në kamp.
  • 6 persona u kthyen në Itali për shkak të mosaprovimit të ndalimit.
  • 5 emigrantë u lejuan të qëndrojnë në Itali për arsye shëndetësore dhe vetëlëndimesh.
  • 4 të tjerë mund të jenë riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës.

Ministria e Brendshme italiane, në një përgjigje për median “Domani”, konfirmoi se disa migrantë janë riatdhesuar, disa janë liruar për arsye shëndetësore, dhe disa kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare. Megjithatë, mbeten pa sqarim modalitetet e transferimit dhe kthimit të tyre në Itali, ndërkohë që mediat italiane denoncojnë kosto shtesë për shtetin italian.

Gjendja në kamp është shqetësuese: sipas të dhënave zyrtare, në 13 ditët e para të funksionimit, janë shënuar 35 incidente kryesisht për vetëlëndime dhe tentativa vetëvrasjeje, duke kërkuar ndërhyrje spitalore në Shqipëri.

Scarpa dhe Strada theksojnë se disa migrantë trajtohen me ilaçe psikotrope për të përballuar situatën, duke ngritur dyshime serioze për shkeljen e të drejtës për shëndet dhe standardeve të mbrojtjes së emigrantëve.

Në deklaratën e tyre, ata akuzojnë se përdorimi i kampit të Gjadrit si CPR është bërë në mënyrë të nxituar dhe në shkelje të të drejtave njerëzore, duke dështuar në përzgjedhjen e duhur të personave dhe garancitë e mbrojtjes minimale.


Artikulli i mëparshëmDalin Pamjet: Breshëri Plumbash Ndaj 31-Vjeçarit Nga Kosova Në Zvicër
Artikulli i radhësDel Sondazhi: PS Në Rënie, PD Dhe Aleanca Për Shqipërinë Madhështore Në Rritje