
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një seri fotosh dhe mesazhesh nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane (PPE) në Valencia, duke vlerësuar mikpritjen dhe atmosferën si mbresëlënëse.
Në një postim në Facebook, Berisha theksoi se mbështetja për PD-në dhe për rotacionin politik më 11 maj është një sinjal i fortë që Europa sheh te opozita shqiptare shpresën për integrimin europian.
“Takimet, atmosfera, mikpritja në Kongresin e PPE në Valencia ishin mbresëlënëse! Mbështetja e pakursyer për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit dhe rotacionin janë shenjë se Europa sheh te opozita forcat që do ta integrojnë Shqipërinë, duke lënë pas narkoshtetin e Edi Ramës,” shkroi Berisha.
Në kongres, Berisha pati takime me drejtues të ndryshëm shtetesh dhe partish anëtare të PPE-së, ku u theksua angazhimi për zgjedhje të lira dhe integrim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një kohë kur klima politike shqiptare është e tensionuar për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, përkrahja ndërkombëtare për opozitën duket se po forcon pozitat e saj në betejën për një ndryshim të shumëkërkuar nga qytetarët shqiptarë.