Si Grupi i Suel Çelës Ekzekutoi “Kasafortën” e Ardian Çapajt në Belgjikë

0

Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale del në dritë nga zbardhja e bisedave në platformën e enkriptuar Sky ECC. Grupi kriminal i Suel Çelës, në një operacion të mirorganizuar, ka ndjekur hap pas hapi Bledar Muçën, i njohur ndryshe si “Gollo”, në Belgjikë, për ta ekzekutuar në vitin 2022, pasi dështuan disa tentativa më herët.

Në shënjestër të grupit ishte një njeri kyç: “kasaforta” e Ardian Çapajt. Bledar Muça zotëronte informacione të çmuara: dhjetëra pamje filmike të atentateve, emra, të dhëna të ndjeshme mbi klanet rivale dhe gjithë zinxhirin e atentateve në Elbasan. Ky informacion e bënte atë një objektiv me rëndësi jetike për eliminim.

Bisedat e zbuluara në Sky ECC tregojnë sesi grupi i Suel Çelës, në qershor 2020, inskenoi situata provokative për ta futur Bledar Muçën në kurth, por ai i shpëtoi grackave. Për eliminimin e tij, organizata kriminale vendosi një çmim për kokën e Muçës dhe kërkoi vrasës me pagesë, duke shtrirë kërkimin deri në Kosovë, pranë shoqatave të veteranëve të luftës.

Megjithëse tentativat e vitit 2020 dështuan, vendosmëria për eliminimin e tij nuk u shua. Më në fund, në Belgjikë, dy vite më pas, Bledar Muça u vra në një atentat të organizuar me profesionalizëm të lartë, ku dyshohet se u përfshinë edhe elementë të tjerë të botës së krimit.

Burime nga hetimi sugjerojnë se në këtë vrasje mund të kenë pasur interes edhe vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, drejtues të një tjetër organizate kriminale në Elbasan, e goditur nga SPAK në verën e vitit 2024.

Pse ishte kaq i rëndësishëm Bledar Muça?
Sepse zotëronte një arkivë të fshehtë me materiale që mund të implikonin rëndë drejtues të fuqishëm të krimit të organizuar në Elbasan. Fati i këtyre provave mbetet ende i paqartë, ndërsa hetuesit besojnë se një pjesë e tyre mund të shfaqet në të ardhmen, duke zbuluar më shumë për konfliktin vdekjeprurës mes grupeve Çela dhe Çapja.

Ngjarja hedh dritë mbi strukturën mafioze të organizatave shqiptare, që operojnë jo vetëm brenda vendit, por edhe në shtete të tjera europiane, duke përdorur taktika të sofistikuara për të eliminuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur sekretet e tyre./Në Shënjestër

Artikulli i mëparshëmGazment Bardhi Ironizon PS: Krushq Me Autobusë Nga Tirana Në Takimet Elektorale Në Fier
Artikulli i radhës“Mundësia” E Agron Shehaj Ngjitet Në Sondazhe Si Forca e Tretë