
Një rrjet i sofistikuar trafiku ndërkombëtar të kokainës që lidh Ekuadorin me Belgjikën dhe përfshin emra të njohur të botës së krimit shqiptar është zbuluar përmes bisedave të dekriptuara në Sky ECC. Në qendër të këtij trafiku është Suel Çela, i cili sipas të dhënave nga SPAK, rezulton si bashkëfinancues i një sasie të konsiderueshme kokaine që duhej të mbërrinte në portin e Anversës në Belgjikë në dhjetor 2020.
Në këtë dosje për herë të parë përmendet edhe Marsel Shega, i njohur me emrin e mëparshëm Bujar Shega, pronar i kompanive Viola Green dhe Wonder Green, i cili ndërkohë kishte fituar tendera shtetërorë për pastrim qytetesh. Sipas hetimeve, Shega ishte një financues kyç dhe bashkëorganizator i trafikut, me rol në logjistikën e transportit të drogës nga Amerika Latine në Europë.
Ngarkesa e parë prej 925 kg kokainë, e ndarë në 930 pako, nuk arriti asnjëherë të nisej pasi u kap nga autoritetet në portin Guajakil të Ekuadorit. Emrat e Suel Çelës (me pseudonimin “SS”) dhe Shegës (me pseudonimin “Mercedesi”) dalin qartë nga komunikimet në Sky ECC si pjesë e porositësve të sasive të drogës.
Bisedat e zbuluara tregojnë se Çela e kishte humbur besimin tek Shega, duke dyshuar se ngarkesa e tij ishte vjedhur ose tradhtuar nga bashkëpunëtorët. Në një mesazh të qartë për hakmarrje, Suel Çela i shkruan:
“Nëse rezulton se grupi i daljes e ka vjedhur apo ka mashtruar, atëherë ai duhet ekzekutuar. Dikush duhet të bëhet shembull.”
Në vijim të komunikimeve, rezulton se një tjetër ngarkesë — kësaj here prej 1.3 tonësh kokainë — që kishte për destinacion Europën, u sekuestrua sërish nga autoritetet ekuadoriane. Marsel Shega, në bisedë me Çelën, e shpreh hapur zhgënjimin:
“Mjesi vlla… Po e nis me lajm të keq… Puna që hypi na paska rënë…”
Shega, i cili kishte humbur më parë një tjetër ngarkesë në po të njëjtin port, i pohon Çelës se do të kërkojë sqarime të mëtejshme nga bashkëpunëtorët.
Bisedat zbulojnë se përveç Shegës, Suel Çela kishte lidhje edhe me trafikantin Ergys Dashi, i cili u vra më vonë në Ekuador. Në janar 2021, autoritetet holandeze sekuestruan një tjetër ngarkesë me 446 pako kokainë në portin e Roterdamit, të fshehura në një kontejner me banane.
Ky operacion është vetëm një ndër episodet që zbulojnë një rrjet të gjerë e të strukturuar kriminal, ku emrat e njohur të krimit shqiptar operonin në bashkëpunim me qarqe biznesi, për të trafikuar tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt Europës. Bisedat e Sky ECC kanë kthyer në provë kyçe dinamikën e brendshme të bandave dhe masat ekstreme që merrnin për të ruajtur kontrollin dhe ndarjen e përfitimeve./ Në Shënjestër