PËRGJIMET/ Si Suel Çela Emëronte Drejtorë Publikë Dhe Kontrollonte Tenderat Përmes Luan Tabakut

0

Elbasani është kthyer prej vitesh në një nga qytetet simbol të krimit të organizuar në Shqipëri, dhe Suel Çela, i konsideruar si kreu i një prej grupeve më të rrezikshme kriminale, jo vetëm që sundonte përmes dhunës, por kishte depërtuar thellë edhe në administratën publike.

Sipas dosjes së SPAK të zbardhur nga emisioni “Në Shënjestër”, Suel Çela përdorte ndikimin e tij për të emëruar persona të besuar në pozicione kyçe në administratën shtetërore të Elbasanit, duke siguruar kontroll të drejtpërdrejtë mbi tenderat dhe pasuritë publike.

Një nga rastet më të rënda të zbuluara është ai i Luan Tabakut, i cili, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Suel Çelës, u emërua fillimisht zëvendësdrejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan në vitin 2020 dhe më pas Administrator i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan në vitin 2022.

Bisedat e përgjuara në aplikacionin Sky ECC tregojnë qartë se emërimi i Tabakut ishte një vendim strategjik i grupit kriminal, me qëllim sigurimin e fondeve përmes manipulimit të tenderave. Në disa raste, tenderat për ruajtjen fizike të objekteve publike i përfitonte kompania UEVI 2015, administratore e së cilës rezulton Fatbardha Roka, nëna e vëllezërve të arrestuar Xhino dhe Marsel Roka, pjesëtarë të organizatës së Suel Çelës.

Në komunikimet e zbuluara, Suel Çela dhe bashkëpunëtorët e tij flasin hapur për nevojën për të vendosur “një përfaqësues me kollare” në krye të institucioneve dhe lavdërojnë performancën e Luan Tabakut, të cilin e përshkruajnë si njeri që “u rri punëve te koka” dhe që “u ka bërë më shumë punë se të tjerët”.

Një tjetër detaj i rëndë është përdorimi i makinave të regjistruara në emër të kompanive ose personave të lidhur me grupin e Çelës për lëvizjet e Tabakut dhe familjarëve të tij, duke forcuar provat e bashkëpunimit të ngushtë ndër vite.

Suel Çela, përmes këtij rrjeti, kishte krijuar një skemë të mirëfilltë për kontrollin e institucioneve dhe rrjedhimisht për përfitimin e parave publike nëpërmjet tenderave të manipuluar.

Hetimi i SPAK vijon të thellohet edhe në sektorin e futbollit, ku rezulton se Akademia Futbollit Elbasani është një tjetër front ku dyshohet se është pastruar pasuria e paligjshme e grupit kriminal.

Në këtë kuadër, Mariglen Çoku, administrator i AF Elbasani dhe i afërt i Suel Çelës, del si një tjetër hallkë e rëndësishme e lidhjes krim-administratë në qytetin e Elbasanit.

Dosja e SPAK ngre dyshime të forta për një ndërthurje të thellë të krimit të organizuar me politikën dhe institucionet publike, duke e kthyer Elbasanin në një model të hidhur të kapjes së shtetit nga krimi./ Në Shënjestër


Artikulli i mëparshëmMeloni dhe Erdogan Firmosin Aleancën e Dronëve: 40 Miliardë USD për Armatim mes Italisë dhe Turqisë
Artikulli i radhësAksident në Lushnjë: Motoçikleta përfundon në kanal, shpëtohet 17-vjeçari që po mbytej