
Prokuroria e Posaçme ka nisur procedurën e riemërimit për drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Veizaj Hajnaj, pasi kjo e fundit ka shprehur interesin për një mandat të dytë 5-vjeçar më 28 mars.
SPAK i tha BIRN se, referuar ligjit 95/2016 për strukturën e posaçme antikorrupsion, aktualisht po vlerësohet ekskluzivisht kandidatura e drejtoreshës në detyrë.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me një proces riemërimi, ky proces i adresohet vetëm drejtorit në detyrë, i cili duhet të plotësojë sërish të gjitha kriteret ligjore dhe të kalojë në të gjitha fazat e testimit të parashikuara nga ligji nr. 95/2016,” deklaroi SPAK përmes zëdhënëses.
Në rast se drejtoresha aktuale nuk kalon të gjitha fazat, komisioni i përzgjedhjes përmbyll procesin dhe çel një garë të hapur ku mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për këtë pozicion.
Byroja Kombëtare e Hetimit është struktura e specializuar e Policisë Gjyqësore që kryen veprime hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Procesi i riemërimit është parashikuar në nenin 33 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve antikorrupsion, i cili i jep të drejtë drejtuesit aktual për një mandat të dytë – por vetëm nëse i plotëson të gjitha kriteret.
Ligji kërkon që kandidati të kalojë kontrollin e figurës, të pasurisë dhe të japë pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve, për veten dhe familjarët.
Aida Veizaj Hajnaj u emërua si drejtorja e parë e BKH më 30 korrik 2020 nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Para këtij roli, ajo ka mbajtur pozicionin e zëvendësdrejtores së Policisë së Shtetit prej vitit 2018 dhe ka qenë më parë drejtoreshë e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Verifikimi i Hajnajt po kryhet nga Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Nëse ajo kalon me sukses fazat e verifikimit, emri i saj do t’i propozohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për një mandat të dytë.
Drejtuesja në detyrë nuk ka dhënë ende një koment publik mbi këtë proces.