
Në përpjekje për të dalë nga ngërçi institucional pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministri në detyrë dhe njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në një takim të përbashkët kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku.
Takimi është caktuar për të enjten, më 1 maj 2025, në orën 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Kosovës, vetëm pak kohë përpara se të nisë vazhdimi i seancës konstituive, e cila prej javësh ka mbetur pezull për shkak të mungesës së konsensusit.
Në letrën drejtuar Krasniqit, Kurti ka theksuar se, duke u bazuar në Kushtetutë, “tre nënkryetarë të Kuvendit duhet të vijnë nga tri partitë që kanë fituar më shumë ulëse në zgjedhje”, duke argumentuar nevojën për bashkëbisedim politik para çdo zhvillimi të mëtejshëm parlamentar.
Kujtojmë se të martën deputetët e Kuvendit refuzuan sërish kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke treguar një klimë të tensionuar dhe mungesë të vullnetit të shumicës për të pranuar kandidaturat e propozuara nga LVV.
Thirrja e Kurtit për takim vjen si tentativë për të shmangur një krizë të thellë institucionale, në një moment kur konstituimi i Kuvendit është kusht për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimin e proceseve politike të vendit. Takimi i paralajmëruar do të jetë një provë vendimtare për bashkëpunimin ndërpartiak dhe për mundësinë e rikthimit të normalitetit institucional në Kosovë.