
Policia e Shtetit ka arrestuar një 24-vjeçar nga Sukthi, i identifikuar si Devis Faruku, pasi publikoi video në rrjetin social TikTok ku bënte thirrje të drejtpërdrejta për akte të dhunshme, përfshirë djegien e një makine të Policisë së Shtetit.
Pas monitorimeve të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, autori u lokalizua dhe u ndalua menjëherë. Faruku banonte në lagjen Perimore të Sukthit dhe vepronte përmes një adrese të rreme në TikTok.
Në një nga videot, i riu i ftonte qytetarët të ndiqnin “live” momentin e djegies së një automjeti policie, duke nxitur reagime të rrezikshme dhe promovuar dhunë ndaj rendit publik. Në përfundim të hetimeve paraprake, ai u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Policia e Shtetit thekson se do të vijojë me vendosmëri ndjekjen e çdo rasti të ngjashëm, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke ftuar qytetarët të denoncojnë përmbajtjet e dhunshme në rrjetet sociale.