
Gjykata e Vlorës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Eris Mehmetajn, personin që dyshohet se ka ndihmuar në sigurimin e kushteve për vrasjen e Renato Hoxhajt, ngjarje e ndodhur më 27 prill 2025.
Sipas Policisë së Vlorës, Mehmetaj i ka dhënë autorit të dyshuar të vrasjes automjetin që u përdor në ekzekutim dhe që më pas është zbuluar se kishte targa të ndryshuara. Makina është identifikuar përmes kamerave të sigurisë, duke bërë që Mehmetaj të arrestohej një ditë më parë.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, atij iu sekuestrua edhe një telefon celular, në të cilin janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin. Dyshohet se porositësi i vrasjes është një grup kriminal me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të 27 prillit në lagjen ku Hoxhaj punonte si roje objekti. Ai u qëllua me katër plumba, dy prej të cilëve në kokë dhe dy në trup, me një pistoletë kalibri 9 mm.
Sipas dëshmisë së bashkëjetueses së viktimës, ajo ka dëgjuar të shtënat dhe e ka gjetur partnerin të pajetë para banesës. “E vranë, mo, e vranë!” – ka thirrur ajo në panik, ndërsa menjëherë është njoftuar policia.
Renato Hoxhaj ishte i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve. Bashkëjetonte me një grua në Vlorë. Deri më tani, askush nga banorët nuk ka dëshmuar se ka parë autorët në momentin e krimit.
Pistat kryesore të hetimit janë:
- Porosi nga jashtë shtetit (Emiratet)
- Përfshirja në konflikte të mëparshme
- Hakmarrje apo lidhje me grupe kriminale