
Ish-presidenti i Rusisë dhe aleat i ngushtë i Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, ka reaguar me tone të ashpra ndaj marrëveshjes për mineralet strategjike të nënshkruar mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë publike, Medvedev akuzoi SHBA-në se po e detyron Ukrainën të paguajë për ndihmën ushtarake me pasuritë e saj kombëtare, duke e përshkruar vendin si një shtet që po shkon drejt zhdukjes.
“Trump më në fund e ka detyruar regjimin e Kievit të paguajë për ndihmën amerikane me mineralet e veta. Tani furnizimet ushtarake do të duhet të paguhen me pasurinë kombëtare të një vendi në zhdukje,” – tha ai.
Medvedev u ndal edhe te zhvillimet në SHBA, duke kritikuar Senatin amerikan, i cili sipas tij po përgatitet të miratojë një tjetër raund të sanksioneve shkatërruese kundër Rusisë.
“Senati i SHBA-së, i udhëhequr nga republikanët, po përgatitet të vendosë sanksione të reja. Le të shohim si do të reagojë administrata e re. Vlerësimet e Trump po bien dhe ‘shteti i thellë’ po bën rezistencë të ashpër.”
Këto deklarata vijnë në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, ku marrëdhëniet SHBA–Rusi janë të përkeqësuara dhe konflikti në Ukrainë vijon pa zgjidhje, ndërsa mineralet strategjike po shndërrohen në armë politike dhe ekonomike në arenën globale.