
Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka tronditur lagjen “Partizani” në Elbasan gjatë natës, duke futur panik në banorët e zonës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:15 dhe shkundi pallatet si një tërmet, sipas dëshmitarëve në vendngjarje.
Lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e një pallati, pranë hyrjes së një apartamenti në katin e parë. Për fat të mirë, nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
“As kur ka rënë tërmet nuk është tundur shtëpia kështu!”, tha një banore për Top Channel, duke përshkruar tronditjen e shkaktuar nga shpërthimi.
Në banesën që ishte në shënjestër jeton një familje me tre anëtarë, të cilët nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e ngjarjes. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët, ndërsa janë sekuestruar pamje filmike dhe prova materiale.
Ky është shpërthimi i dytë i raportuar në Elbasan brenda 24 orëve, duke ngritur shqetësime për rikthimin e akteve të dhunshme dhe destabilitetit kriminal në qytet.