
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, pranë Qytetit Studenti, duke tronditur banorët e zonës dhe stafin e një spitali privat. Objektivi ka qenë një automjet në pronësi të mjekes Matilda Kaja, ku lënda plasëse ishte vendosur në gomën e përparme të makinës së saj.
Fatmirësisht, ngjarja nuk shkaktoi viktima por vetëm dëme të lehta materiale, ndërsa motivacioni mbetet i paqartë. Policia e Tiranës njoftoi se po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:55 të mëngjesit, dhe aktualisht janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse lënda shpërthyese u vendos në parking apo diku tjetër. Autoritetet kanë konfirmuar se Kaja nuk ka precedentë penalë dhe nuk ka raportuar konflikte personale.
Hetimet janë të përqendruara në disa pista, përfshirë edhe mundësinë e një konflikti që lidhet me profesionin e saj si mjeke. Grupi hetimor vazhdon punën për të zbuluar autorët dhe për të sqaruar arsyet pas vendosjes së lëndës shpërthyese.
Ngjarja rihap debatin për sigurinë publike dhe cënueshmërinë e profesionistëve të shëndetësisë në Shqipëri, ndërsa shqetësimet për krimet e porositura apo mesazhet mafioze vijojnë të jenë në rritje.