
Policia shqiptare ka finalizuar me sukses dy ekstradime të rëndësishme në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët gjermanë dhe italianë. Danjel Lalaj, 21 vjeç dhe Kledjon Berberi, 35 vjeç, janë rikthyer në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë për vepra të rënda penale.
Nga Gjermania, u ekstradua Danjel Lalaj, ndaj të cilit GJKKO ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021 për:
- Kultivim të bimëve narkotike
- Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
- Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale
Ndërkohë, nga Italia, u arrestua dhe u ekstradua Kledjon Berberi, banues në Korçë, i cili akuzohet për:
- Heqje të paligjshme të lirisë
- Kanosje për të ndikuar në dëshmi apo ekspertim të rremë
Ngjarja për të cilën akuzohet Berberi ndodhi në qershor 2024, kur në bashkëpunim me një person tjetër, rrëmbeu dhe dhunoi rëndë një shtetas brenda një automjeti.
Policia e Shtetit deklaron se do të vazhdojë intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, për të garantuar rend dhe drejtësi në territorin shqiptar.