
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e ekstradimit të Florenc Çapjas nga Dubai në Shqipëri. I shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, Çapja u mor në dorëzim nga forcat RENEA në aeroportin e Rinasit, ku mbërriti si një nga figurat më të përfolura të botës së krimit.
Florenc Çapja, emër i njohur për autoritetet dhe drejtësinë shqiptare, është përmendur nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se Çapja i kishte ofruar 200 mijë euro për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, një tjetër emër i lakuar në skemat kriminale të Elbasanit.
Sipas dëshmisë së Dumanit, vrasja e porositur nuk u realizua, por motivi ishte hakmarrja. Sokol Sanxhaktari cilësohej si i afërt me Suel Çelën, rivali i drejtpërdrejtë i Çapjave në Elbasan.
Në një tjetër proces, Florenc Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm për porositjen e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012, ndërkohë që Gentiani ishte në arrest shtëpie. Vrasja ishte e organizuar në mënyrë të sofistikuar, përmes shokut të fëmijërisë së viktimës, Etien Cani, i cili u përdor për të futur autorët në banesë.
Hetimet e deritanishme përflasin një hakmarrje të hershme për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005-ën, për të cilën Gentian Beqiri akuzohej si i implikuar.
Florenc Çapja, pas viteve në arrati dhe jetesës luksoze në Dubai, është tashmë nën arrest në Shqipëri, dhe pritet të përballet me disa procese penale për akte kriminale që shkojnë përtej një dekade.