
Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, ka nisur numërimi mbrapsht për zgjedhjen e Papës së ri, përmes mbledhjes së Konklavës që do të mblidhet më 7 maj me 135 kardinalë nga mbarë bota. Procesi i përzgjedhjes, i mbështetur mbi rregulla që kanë qenë në fuqi për plot 750 vjet, është ndër më të rreptët dhe më të monitoruarit në historinë e institucioneve fetare.
Një ndër aspektet më interesante është ushqimi i kardinalëve, i cili prej shekujsh është konsideruar si një mundësi e mundshme për komunikim të fshehtë. Për të shmangur çdo rrjedhje informacioni nga jashtë apo mesazhe të koduara brenda ushqimit, çdo pjatë kontrollohet me imtësi, ndërsa gotat duhet të jenë të tejdukshme dhe pecetat hapen para shërbimit.
Kjo traditë ka rrënjë të thella që nga viti 1274, kur Papa Gregori X vendosi rregullin e izolimit të konklavës dhe kufizimit të ushqimit në rast të mungesës së konsensusit. Nëse pas tre ditësh nuk arrihej një marrëveshje, kardinalët lejoheshin të hanin vetëm një vakt në ditë; pas tetë ditësh – vetëm bukë dhe ujë.
Historianët kujtojnë kontributin e Bartolomeo Scappi, kuzhinierit të famshëm të Papës në shekullin XVI, i cili detajoi në librin e tij “Arti i Gatimit” mënyrën se si ushqimi shërbehej dhe monitorohej në konklavë. Sipas tij, vakti ishte një moment si për negociata të fshehta, ashtu edhe për kontroll ekstrem.
Për konklavën e këtij viti, murgeshat e Domus Sanctae Marthae, ku janë akomoduar kardinalët, do të përgatisin vakte të thjeshta tradicionale nga rajoni i Lazios dhe Abruzzos: minestrone, spaghetti, arrosticini dhe perime të ziera.
Teknologjia moderne ka shtuar dimensione të reja sigurie. Sot, frika më e madhe nuk janë më mesazhet në pulat e pjekura, por pajisjet e fshehta elektronike. Për këtë arsye, ambientet e Vatikanit po skanohen në mënyrë rigoroze për çdo element që mund të prishë fshehtësinë e këtij procesi të shejtë.
Ndërkohë, kardinalët kanë nisur përgatitjet e tyre shpirtërore dhe fizike, disa duke shijuar darka modeste nëpër Romë – ndoshta darka e fundit para se të bëhen Papë.