
Çmimet e naftës shënuan një rimëkëmbje të lehtë mëngjesin e sotëm, pas njoftimeve se Kina është e gatshme të negociojë me administratën Trump për tarifat tregtare. Ministria kineze e Tregtisë konfirmoi se po shqyrton një propozim nga SHBA për bisedime mbi tarifat, duke dhënë një shpresë të vakët për uljen e tensioneve tregtare.
Ky sinjal i vogël optimizmi shtyu tregtarët e naftës në veprim, duke bërë që Brent të ngjitej në 62.53 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) arriti në 59.67 dollarë për fuçi. Megjithatë, të dy treguesit mbeten në trajektore javore negative, si pasojë e pasigurisë së thelluar në tregjet globale.
Një faktor tjetër që uli çmimet këtë javë ishte njoftimi i Arabisë Saudite për përshtatjen me një çmim më të ulët të naftës për një periudhë më të gjatë, madje edhe për përpjekje për ta ulur atë më tej. Ky qëndrim erdhi paralelisht me vendimin e OPEC+ për të rritur prodhimin me 411,000 fuçi në ditë gjatë majit, në vend të planit fillestar prej 138,000 fuçish – një tjetër zhvillim që ushtron presion mbi çmimet.
Megjithatë, mundësia për një negociatë reale mes Uashingtonit dhe Pekinit mund të ketë ndikim më të madh në tregjet. “Nëse SHBA e mbështet seriozisht këtë nismë – siç pres që do të ndodhë – mund të jetë një pikë kthese për humorin e zymtë që ka mbuluar tregjet prej javësh,” deklaroi Vandana Hari nga Vanda Insights për Reuters.
Ndërkohë, OPEC+ pritet të mblidhet të hënën për të diskutuar prodhimin e qershorit, dhe analistët nuk përjashtojnë ndonjë surprizë tjetër. Në një analizë të BMI të cituar nga Reuters, thuhet se:
“Me rritjen e ndjeshme të ofertës të prodhuesv jashtë OPEC+ dhe përballë një kërkese globale që po tkurret në mënyrë strukturore, grupi do të detyrohet të përballet me ulje të çmimeve, pa marrë parasysh se kur do të vendosë të heqë kufizimet e prodhimit.”
Pavarësisht rimëkëmbjes së përkohshme, perspektiva afatshkurtër për naftën mbetet e turbullt, nën ndikimin e kombinimit të presioneve gjeopolitike, ofertës në rritje dhe kërkesës së ngadalësuar.