
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, u ka paraqitur anëtarëve të aleancës një propozim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si dhe 1.5% të tjera për artikuj të lidhur me mbrojtjen, duke synuar një objektiv të përgjithshëm prej 5%, në përputhje me kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump.
Ky plan, sipas analizave, mund t’i japë Trump-it një arsye për të shpallur sukses në samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Hagë në qershor, pa detyruar vendet europiane dhe Kanadanë të angazhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për një objektiv të tillë, të cilin shumë e konsiderojnë politikisht dhe ekonomikisht të papërballueshëm.
Presidenti Trump ka kërkuar që çdo vend anëtar të shpenzojë 5% të PBB-së për mbrojtje — një objektiv më shumë se dyfishi i atij aktual, prej 2%. Deri tani, vetëm SHBA ka shpenzuar 3.4% të PBB-së për mbrojtje, ndërsa Polonia ka shpenzuar 4.12% në vitin 2024 dhe synon 4.7% për këtë vit.
Tendenca tregon se shpenzimet janë më të larta në vendet më afër kufirit me Rusinë. Tre vendet baltike dhe Suedia po rrisin gjithashtu ndjeshëm buxhetet e tyre ushtarake. Suedia, që në 2024 shpenzoi 2.1% të PBB-së për mbrojtje, e sheh këtë rritje si një domosdoshmëri strategjike.
Megjithatë, shumë vende evropiane përballen me presione buxhetore dhe kanë vështirësi edhe për të përmbushur objektivin aktual prej 2%. Gjermania, për shembull, po kërkon mënyra për të arritur këtë nivel brenda vitit.
Plani i Rutte shihet si përpjekje për të ruajtur kohezionin e NATO-s, duke balancuar presionin amerikan dhe kapacitetet reale të anëtarëve europianë. Rekomandimi nuk është ende një vendim zyrtar, por pritet të jetë një nga temat qendrore të samitit të ardhshëm.