
Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në Tiranë Mbretin e Jordanisë Abdullah II bin Al-Hussein, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare me karakter politik dhe ekonomik.
Më herët gjatë ditës, mbreti u takua edhe me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, ku palët diskutuan mbi rritjen e dialogut politik mes dy vendeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe diplomatik.
Gjatë takimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe u shkëmbyen qasje dhe opinione për sfidat e agjendës globale, përfshirë paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, dhe pritet të shënojë një intensifikim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme strategjike, përfshirë energjinë, turizmin, arsimin dhe sigurinë rajonale.