
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur paraditen e sotme në Shkodër, ku një turist amerikan i identifikuar si Brandon Saporito dyshohet se ka vrarë me mjet prerës bashkëjetuesen e tij, shtetasen amerikane me inicialet S. S., dhe më pas ka tentuar të vetëvritet.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë me qira ku qëndronte çifti. Brandon Saporito u gjet në vendngjarje në gjendje të rënduar psikologjike dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore, pasi kishte dëmtime të lehta në duar nga mjeti prerës që përdori.
Policia dyshon se autori ishte nën efektin e alkoolit në momentin e krimit, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje makabre.
Tragjedia ka tronditur opinionin publik, veçanërisht për brutalitetin dhe natyrën e rëndë të aktit që ndodhi brenda një banese në zemër të qytetit.
Hetimet janë në vijim dhe autoritetet kanë njoftuar se do të publikojnë detaje të tjera në orët në vazhdim.