
Një incident serioz ka ndodhur në Rrëshen në mbrëmjen e 10 majit 2025, vetëm pak orë përpara ditës së votimit. Ladi Ndoja, bashkëshorti i kandidates së Partisë Demokratike, Elda Hoti, është arrestuar nga Policia e Mirditës pas një përplasjeje me dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se po kryenin veprimtari për blerje votash.
Së bashku me të është arrestuar edhe Amarildo Jushi, ndërsa të dy janë proceduar për veprat penale:
- Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
- Vetëgjyqësia
- Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
- Si dhe në rastin e Ladi Ndojas, drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Sipas Policisë, në automjetet e Ndojes dhe Jushit janë gjetur lista me të dhëna personash të dyshuara si lista zgjedhësish, ndërsa në automjetin e personave të akuzuar për blerje votash nuk u gjet asnjë provë materiale.
Incidenti ndodhi në lagjen “Donaj” të Rrëshenit rreth orës 20:20, kur Nnoja dhe Jushi bllokuan rrugën me dy automjete ndaj shtetasve R.K. dhe A.D., duke pretenduar se ata po shpërndanin para për vota.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe testimit me alkoolmetër, rezultoi se Ladi Nnoja kishte konsumuar alkool. Materialet e rastit janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për hetime të mëtejshme.
Zgjedhjet e 11 Majit 2025 po zhvillohen mes akuzave të forta për blerje votash, përdorim të institucioneve shtetërore dhe tensione në disa qarqe. Aktualitet.al po ndjek në kohë reale çdo zhvillim për të sjellë të vërtetën përpara qytetarëve.