
Partia Demokratike ka denoncuar një incident të rëndë në fshatin Dhivër, në Bashkinë Finiq, ku sipas pretendimeve, janë shkelur rëndë rregullat zgjedhore. Ina Zhupa, drejtuesja politike e PD për qarkun e Sarandës, ka deklaruar se në qendrën e votimit nr. 4695, Dhimitër Llajo, kushëri i kandidatit të PS-së, Vasil Llajo, ka nxjerrë fletën e votimit jashtë dhe po udhëzon votuesit.
PD ka kërkuar bllokimin e menjëhershëm të qendrës së votimit dhe ndërhyrjen e policisë dhe KZAZ-së, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje flagrante të ligjit zgjedhor.
“Të gjithë do përballen me ligjin. Larg duart nga vota e qytetarëve, do ikni me turp,” – ka paralajmëruar Zhupa.
Akuzat ndaj patronazhistëve në Sarandë
Ndërkohë, Zhupa ka denoncuar edhe praninë e patronazhistëve në ambientet pranë QV 4664, përkatësisht në “SOS BAR” në Sarandë. Ajo pretendon se këta individë disponojnë lista me ID dhe të dhëna personale të qytetarëve, të përdorura për të intimiduar dhe monitoruar votuesit, në kundërshtim me ligjin.
“Ta dinë patronazhistët se janë të monitoruar dhe do e marrin përgjigjen e merituar,” – ka deklaruar Zhupa.
Ngjarja vjen në një ditë votimi të tensionuar, ku raportimet për parregullsi janë shtuar ndjeshëm në disa qarqe të vendit.
Zgjedhjet e 11 Majit 2025 po zhvillohen mes akuzave të forta për blerje votash, përdorim të institucioneve shtetërore dhe tensione në disa qarqe. Aktualitet.al po ndjek në kohë reale çdo zhvillim për të sjellë të vërtetën përpara qytetarëve.